Partia Demokratike ka akuzuar mazhorancën se po emeron në poste kyce njërëz të lidhur me krimin.
Kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë ne Partinë Demokratike, Enkeled Alibeaj, në një deklaratë për mediat paraditen e së dielës u shpreh se “Emërimet e personave me lidhje kriminale në poste kyçe vazhdojnë. Kapja e shtetit, kapja e institucioneve përmes këtyre emërimeve kriminale, po shtrihet çdo ditë në Polici, Tatime, Dogana dhe kudo ku merren vendime të rëndësishme”.
“Pikërisht, Besmir Qebini, i larguar nga Komisariati i Kavajës për shkelje të rënda dhe për dyshime të forta si i përfshirë në trafikun e drogës, prej disa javësh ka në dorë jo vetëm kontrabandën, por edhe anti-kontrabandën dhe hetimin doganor. Krimi ka çdo lehtësi për aktivitetet e veta të paligjshme, për trafikun e drogës dhe të armëve. Duke caktuar ate si zv/drejtor të Përgjithshëm të Doganave, krimi ka siguruar përfundimisht traun e doganës për aktivitetet e veta”, tha Alibeaj.