Një valixhe e dyshimtë pranë RTSH-së, ka bërë që policia të rrethojë zonën dhe të bëjë evakuimin e banorëve përreth. Por pas verifikimit nga ana e ekspertëve xhenierë rezultoi se ishte një alarm fals.
Policia ka nisur hetimet për të identifikuar edhe 2 personat që kanë lënë valixhe dhe për të verifikuar nëse e kanë lënë qëllimisht për të krijuar panik, apo nëse kanë pasur ndonjë arsye tjetër. Forcat xheniere kanë kryer fillimisht ekzaminimin me skaner të valixhes, gjithashtu kanë sjellë në vendngjarje edhe një qen antieksploziv dhe sipas ekspertëve në të dyja rastet nuk ka pasur shenja për eksploziv. Por është nevojitur që policia të bëjë një shpërthim të kontrolluar, çka ka verifikuar që nuk ka pasur eksploziv në valixhe.
Policia e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ka rrethuar zonën dhe ka bllokuar rrugën ‘Ismail Qemali’ dhe ‘Papa Gjon Pali II’. Nga të dhënat e para mësohet se valixhja e dyshimtë është lënë në trotuar nga dy persona.
Pasi është hapur nga ana e ekspertëve është verifikuar se në valixhe kishte letra të ndryshme, edhe kryesisht mbeturina.