Ministria e Punëve të Jashtme është vëne në dijeni nga autoritetet malazeze dhe nga stafi i Ambasadës sonë në Podgoricë për një aksident rrugor të ndodhur në aksin Tivar-Ulqin, ku një autobus që udhëtonte nga Dubrovniku në drejtim te Tiranës ka devijuar nga rruga.
Sipas të dhënave të deritanishme të transmetuara nga autoritete malazeze, në këtë aksident janë përfshirë rreth 30 shtetas shqiptarë prej të cilëve njëri prej tyre ka humbur jetën. Stafi i Ambasadës sonë në Mal të Zi ndodhet aktualisht në vendin e ngjarjes për t’iu gjendur pranë shtetasve tanë në bashkëveprim me autoritetet malazeze dhe për të ndjekur nga afër situatën pranë qendrave shëndetësore ku po i jepet ndihma e parë qytetarëve tanë. Menjëherë pas njoftimit, me urdhër të Ministrit te Punëve te Jashtme, është ngritur në Ministrinë e Punëve të Jashtme njësia e koordinimit, e cila po ndjek dhe vlerëson hap-pas hapi të gjithë situatën. Njëkohësisht, me urdhër të Kryeministrit, është nisur drejt vendit te ngjarjes Ministri i Shëndetësisë z. Ilir Beqaj. Në komunikimin që Ministri Bushati pati me homologun e tij malazez z.Luksic, u garantua nga ky i fundit për angazhimin maksimal të autoriteteve malazeze për dhënien e ndihmës së nevojshme për te gjithë shtetasit tanë. Ministria e Punëve të Jashtme do të vijojë të informojë në vijimësi opinion publik mbi ecurinë e situatës. Familjaret e interesuar mund të kontaktojnë në numrin +355676060502