Ahmetaj-opozitës: Është përmirësuar klima e biznesit në vend

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj deklaroi të enjten në Kuvend se është përmirësuar klima e biznesit në vend dhe kjo shikohet tek rritja e bizneseve të reja të regjistruara si dhe rritja e investimeve të huaja me 34 % gjatë 6-mujorit të parë të vitit.

Duke marrë fjalën në senacën e sotme plenare ku prej disa orësh po diskutohen ndryshimet në Kodin Penal, që kanë të bëjnë me ashpërsimin e masave ndëshkuese për bizneset që kryejnë evazion fiskal, Ahmetaj tha se ndryshimet synojnë parandalimin e evazionit, si një nga burimet e drejtpërdrejta të varfërisë e krimit ekonomik, por jo vetëm. Ahmetaj tha se kjo opozitë e ka makth rikthimin ekonomik.

Advertisement

Ministri solli në vëmendje disa nga masat e marra nga qeveria për përmirësimin e klimës së biznesit, që kanë të bëjnë me faljen e gjobave ‘elektorale’, taksë zero për biznesin e vogël, heqjen e kamatvonesave për kontributet e sigurimeve shoqërore, etj. “Të flasim për varfëri, ndërkohë që ka një përpjekje reformash që po kthen ekonominë në rrugën e duhur, është antishqiptare”, tha Ahmetaj, ndërsa shtoi se në pushtet vihet me ofertë politike, të cilën iu drejtua ai opozitës, ‘ju nuk e keni’.
Ministri iu përgjigj edhe akuzave të ngritura nga opozita sa i takon bllokimit të llogarive të kompanisë Bankers Petrolium nga Administrata Tatimore. Sipas ministrit Ahmetaj, opozita duhet t’i referohet raportit të hartuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili evidenton shkelje dhe se kompania ‘Bankers’ duhet të përputhë detyrimet e veta në bazë të ligjit.

Opozita akuzoi qeverinë se përmes ndryshimeve goditet biznesi, duke e çuar në burg në rast se kapen me raste të përsëritura të evazionit. Deputeti i Partisë Demokratike, Sherefedin Shehu, tha në fjalën e tij në seancë plenare se burgu nuk e ndihmon biznesin, por krijon frikë.

“Fjala burg krijon frikë dhe kjo në ekonomi njihet si defekt negativ. Biznesmenët thonë se ekonomia 50% është ndjesi dhe ndjesia është shkatërruar këtu te ne. Qeveria, në vend që të reflektojë, rrit taksat. Ndërkohë, rritet edhe evazioni fiskal e korrupsioni, duke bërë që të largohen investitorët. Kontrabandën dhe evazionin e bëjnë të mëdhenjtë, por qeveria po i merr frymën biznesit të vogël. Kryeministri i heq taksën të vegjëlve, por po të mos kesh kasë, shkon në burg. Thotë që do ju heq taksën, por i rrit taksën e shërbimeve publike dhe tatimet mbi qira. Thotë taksë 0, por bizneseve po u nxihet jeta nga inspektorët që vënë gjoba”, tha Shehu.

Por, në kundërpërgjigje të akuzave të opozitës, përfaqësuesit e mazhorancës theksuan nevojën e ashpërsimit të penaliteteve në mënyrë që të vendosen rregulla të barabarta për bizneset. Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, akuzoi opozitën se po mban një qëndrim politik lidhur me propozimet e sjella nga qeveria për ndryshime në Kodin Penal. Sipas tij, përmes ndryshimeve të bëra, qeveria nuk godet biznesin e ndershëm, por ato biznese që deformojnë tregun dhe bëjnë kontrabandë.

“Ne po godasim kontrabandën, ju po na thoni po godisni qytetarin. Po kriminalizohet kontrabanda me ndryshimet në Kodin Penal. Varianti i ardhur nga qeveria kishte të bënte edhe për dënimin me burg për lëshimin e kuponit. Tani që flasim, neni është ndryshuar, që bën që moslëshimi i kuponit të dënohet me dënimin minimal të mundshëm. Ajo që duhet të qartësohet është që kolegët tanë në Komisionin e Ligjeve ishin dakord me këto ndryshime”, tha Majko.