Afganistan | Përmirësohet gjendja e Pecit, Feti Vogli shpallet “Dëshmor i Atdheut”

alt

“Gjendja shëndetësore e nëntetar Aleksandër Peçi vazhdon të përmirësohet pas ndërhyrjes kirurgjikale në Spitalin Ushtarak në Bazën Ajrore të Kandaharit në Afganistan. Autoritetet ushtarake përgjegjëse të operacionit të ISAF po përmbyllim masat për transportimin e të plagosurit drejt Gjermanisë”, thuhet në komunikatë. Sipas saj, tashmë është bërë i mundur arrestimi i personelit të Policisë Afgane, i përfshirë në ngjarjen e djeshme. Në komunikatën zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes bëhet e ditur se kapitenit të vrarë Feti Vogli iu akordua statusi i Dëshmorit të Atdheut, ndërsa varrimi i tij do të bëhet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Detajet e ceremonisë mortore shtetërore të kapiten Feti Voglit do të bëhen të ditura pas mbërritjes në Atdhe të trupit të tij, bën të ditur MM. Në komunikatë zbardhen dhe detajet e sulmit të djeshëm në Kandahar ndaj njësisë së komandove shqiptarë, të cilët, gjatë një misioni inspektimi dhe shoqërimi në rajonin Shadizi Robat në afërsi të Bazës Ushtarake në Spin Boldak, ka rënë nën zjarrin e befasishëm të një efektivi të policisë lokale afgane. “Si rezultat i zjarrit të befasishëm kanë mbetur të plagosur tre ushtarakë, dy shqiptarë dhe një amerikan. Grupi i ushtarakëve të gjendur në këtë situatë të rëndë, ka reaguar me vendosmëri dhe profesionalizëm të lartë, duke bërë të mundur arrestimin e personelit të Policisë Afgane të përfshirë në ngjarje”, thuhet në komunikatë. Sipas saj, nga strukturat operacionale të NATO-s janë marrë masa të menjëhershme për evakuimin mjekësor ajror të tre të plagosurve. Komandanti i Grupit, Kapiten Feti Vogli nuk ka mundur të përballojë plagët e marra dhe ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital, ndërkohë që dy ushtarakët e tjerë janë futur menjëherë në sallat e operacionit. “Ndërkohë që në orën 20:49 sipas orës lokale, orës 17:19 sipas orës së Shqipërisë, autoritetet komanduese të misionit ISAF kanë raportuar humbjen e jetës gjatë ndërhyrjes kirurgjikale në spital për ushtarakun e dytë shqiptar. Ky lajm i është bërë i ditur publikut përmes komunikatës së Ministrisë së Mbrojtjes të orës 18:30 të datës 20. 02. 2012, pasi ishin njoftuar më parë familjet e ushtarakëve”, vijon komunikata, duke sqaruar lajmin për vdekjen dhe më pas përgënjeshtrimin, për nëntetarin Aleksandër Peçi. “Në orën 22:34 sipas orës lokale, ose orës 19:04 sipas orës së Shqipërisë, autoritetet komanduese të misionit ISAF kanë raportuar se Nëntetar Aleksandër Peci kishte përballuar me sukses ndërhyrjen kirurgjikale dhe ishte në jetë. Ky lajm i është bërë i ditur publikut përmes komunikatës së Ministrisë së Mbrojtjes të orës 20:30 të datës 20. 02. 2012, pasi ishte njoftuar më parë familja e nëntetar Aleksandër Peçit”, thuhet në komunikatën e MM-së. “Rreth orës 23.00 të datës 20. 02. 2012 Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i FA njoftuan publikun përmes një komunikate tjetër në të cilën i është përcjellë publikut lajmi për përmirësimin e gjendjes shëndetësore të Nëntetar Aleksandër Peçit, pasi ishte njoftuar më parë familja e tij”, përfundon komunikata zyrtare e MM-së.

Advertisement