Sipas komunikatës zyrtare, “më datë 20.02.2012, ora lokale 15:05, në fshatin Robot 2, Kandahar, Grupi i 1-rë Special, i drejtuar nga Kapiten Feti Bedri Vogli, si dhe një grup nga Bat.2-38 CAV, gjatë kryerjes së detyrës, “Patrullim dhe sigurim i personelit të shërbimit të inteligjencës dhe USAID-it”, me mision, kryerja e një takimi, për të bërë të mundur hapjen e dy shkollave dhe një qendre shëndetësore në këtë fshat, papritur janë vënë përballë zjarrit të hapur në drejtim të tyre nga efektiva të policisë lokale (sipas të dhënave paraprake është hapur zjarr nga 5 armë automatike (Aut.Mod.56) dhe një mitraloz i lehtë”. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, vijon komunikata, janë plagosur 3 ushtarakë, një ushtarak i një vendi aleat dhe dy ushtarakë të Kontingjentit “Eagle-4”. Komandanti i Grupit të 1-rë Special, Kapiten Feti Bedri Vogli dhe N/Tetar Aleksandër Jak Peci (specialist armatimi në këtë grup), kanë marrë plagë të rënda dhe kanë ndërruar jetë në spitalin Rol 3 në Kandahar. Grupi në detyrë, ka bërë arrestimin e 11-të personave te veshur me uniformen e policisë afgane, të cilët kanë hapur zjarr në drejtim të efektivave tona. Gjatë gjithë kohës së kryerjes së detyrës Kapiten Feti Vogli dhe Nentetar Aleksandër Peci u dalluan për ndjenjën e lartë të përgjegjësisë në kryerjen e detyrave të ngarkuara, shpirtin e solidaritetit, bashkëpunimit dhe vetmohimit. Forcat e Armatosura humbën dy ushtrakë të zotë, të përgatitur më së miri për plotësimin e detyrave në shkallë shumë të lartë vështirësie, ndërsa familjet humbën njerëzit e tyre të dashur. Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm dhe gjithë personeli i Forcave të Armatosura marrin pjesë në hidhërimin e thellë dhe i shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të ushtarakëve Vogli dhe Peci. Ndërkohë, janë marrë të gjitha masat për riatdhesimin, ceremonialin e nderimit dhe mbeshtetjen financiare familjeve, përfundon komunikata e Ministrisë së Mbrojtjes.