A do të ulet ora policore? Flet zëvendësministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, ka folur për situatën me koronavirusin në vendin tonë, dhe ka përsëritur një apel për qytetarët, që të vaksinohen. Rakacolli tha se nga virusi Covid-19 po infektohen dhe po humbin jetën edhe moshat e reja, ndaj sipas saj, të gjithë duhet të bëjnë vaksinën pa asnjë dyshim.

“Situata e infeksionit paraqitet deri diku e stabilizuar, me një tendencë të lehtë në rënie. Ne ja dedikojmë këtë vaksinimit. Vazhdojmë të kemi të shtruar nëpër spitale, si dhe jetë të humbura. Ajo që dua unë të ritheksoj është se shumica e të shtruarve në spital janë të pavaksinuar, po ashtu edhe ajo e jetëve të humbura. Prandaj ju bëj apel qytetarëve që të vaksinohen, sepse në dimër infeksionet respiratorë shtohen, ndaj ka tendencë rritjeje. Nuk ka më asnjë dyshim, që vaksina të mbron mjaft, por s’duhen harruar edhe masat e tjera, si mbajtja e maskës, që fatkeqësisht është e neglizhuar. Ka prekje të moshave të reja dhe humbje jete, prandaj duhet me patjetër që është moshat e reja ta ndjejnë shumë afër rrezikun e virusit. Janë mbi 1 milion e 800 doza vaksine të bëra. Jemi te rreth 44% e vaksinimit në kategorinë mbi 18 vjeç”, u shpreh Rakacolli.

Advertisement

E pyetur nëse duhet të vaksinohen fëmijët, dhe dozën e tretë, Rakacolli tha:

“Për vaksinimin e moshave nën 18 vjeç dhe për dozat e treta do të marrim një vendim shumë shpejt”.

Sa i përket orës policore ajo u shpreh:

“Kjo varet në varësi të shifrave, se si do t’i kemi ato. Deri në diskutimet që kemi bërë, të javës së kaluar, shifrat nuk na sugjerojnë një gjë të tillë, por jemi në varësi të shifrave.”

Ajo gjithaahtu tha se skanë ende të dhëna, për një mutacion të ri:

“Nuk kemi të dhëna, është kryesisht varianti Delta që po infekton popullatën”.