Protesta sipas burimeve nga FRESSH do të nisë në orën 12 të mesditës dhe do të zgjasë deri në orën 24 të mesnatës. Të rinjtë e forumit eurosocialist do të kërkojnë largimin e ministrit Basha duke e konsideruar atë një nga përgjegjësit kryesorë për vrasjen e 4 demonstruesve gjatë demonstratës së 21 Janarit. Protesta e FRESSH u lajmërua një ditë pas mbledhjes së qeverisë, ku kryeministri Berisha konfirmoi faktin se ministri i Brendshëm Lulëzim Basha do të jetë kandidati i mazhorancës për Bashkinë e kryeqytetit, e cila drejtohet prej tre mandatesh nga kryesocialisti Edi Rama. Mësohet se pjesa kryesore e të rinjve që do të jenë në protestë janë nga Tirana, por do të ketë edhe anëtarë dhe simpatizantë të forumit që do të vijnë nga qytete të tjera.