Sipas mediave kosovare shkak për këtë vendim janë incidentet që ndodhën ditë më parë, kur në dy raste katër policë të EULEX-it dhe një pjesëtar i OSBE-së u rrahën në veri të Mitrovicës nga persona të panjohur. EULEX-i ka vendosur rregulla të reja për anëtarët e tij në lidhje me qarkullimin në veri të lumit Ibër si dhe në portat G1 dhe G31. Sipas dokumentit, pjesëtarët e EULEX-it që udhëtojnë për në komunat veriore të Kosovës: Zubin Potok, Zveçan, Leposaviç, Mitrovicë matanë lumit Ibër si dhe në pikat kufitare G1 dhe G31 duhet t`iu përmbahen rregullave, që janë vënë në funksion nga ky mision që pas incidentit në veri të Mitrovicës. Pjesëtarët e EULEX-it në rast se dalin matanë lumit Ibër duhet që me vete të kenë telefonin celular dhe radion gjithnjë në funksion. Në rast se anëtarët e EULEX-it hyjnë në zonat e rrezikut, pra në pjesën veriore të Mitrovicës për çfarëdo arsye, janë të detyruar që të lajmërojnë në bazën e tyre se ku gjenden dhe për cilat arsye. Në rast se pjesëtarët e EULEX-it nuk lajmërojnë në bazë se ku gjenden në veri të Mitrovicës, ndaj tyre do të ketë ndëshkime deri në largimin nga misioni.


