Duket se është duke u fituar lufta ndaj sëmundjes. 66-vjeçari, gjatë intervistës tha: “Ndihem mirë dhe jam i lehtësuar. Tumori po zhduket, por e di se trajtimi do të vazhdojë edhe disa muaj të tjerë. Nuk është ende koha për të hapur shampanjën, por ky është pa dyshim një moment shumë i mirë, pas një beteje gjashtë mujore, veçanërisht të vështirë në aspektin shëndetësor dhe psikologjik”. Aktori pranoi se është duke “ngrënë si derr”, pasi mjekët i kërkuan të futej në një dietë për shëndoshje, pas trajtimit të tij me radioterapi. Ai gjithashtu zbuloi planet e tij për të marrë pjesë së shpejti në një film të ri, ku do të ketë rolin e një pianisti të famshëm. ”Mendoj se shanset për mua janë shumë të mira tani. Kam mposhtur kancerin, por kam qenë edhe me shumë fat që u preka nga ky lloj i veçantë tumori, i cili edhe pse në stad të avancuar nuk u përhap në organe të tjera”,- theksoi bashkëshorti i aktores Catherine Zeta Jones. Kujtojmë se Douglas ishte diagnostikuar me një tumor të gradës katër (grada më e avancuar) në grykë. Edhe pse ai u shpreh optimist përpara fillimit të kurave të kombinuara me kimio dhe radioterapi, shumë persona menduan se jeta e aktorit nuk do të ishte ende shumë e gjatë. Douglas pranoi se ka humbur 15 kilogram deri tani si pasojë e kurave të fuqishme, por si rrjedhojë e dietës, ka shtuar deri tani pesë kile të tjera.