Prej rreth 12 orësh, shërbimet e Microsoft, përfshirë Outlook, Teams dhe Copilot, po përballen me ndërprerje, duke prekur mijëra përdorues në të gjithë botën. Kompania po has vështirësi në rikthimin e plotë të sistemeve, ndërsa problemet kanë ndikuar në aktivitetin e institucioneve shtetërore dhe kompanive të mëdha.
Ndërprerja ka prekur institucione në Australi, Japoni dhe SHBA, si dhe kompani të teknologjisë, përfshirë OpenAI dhe Anthropic. Ky është rasti i dytë i ndërprerjes së shërbimeve Microsoft 365 gjatë këtij viti, duke ngritur shqetësime për besueshmërinë e sistemeve të kompanisë dhe ndikimin që përsëritja e problemeve mund të ketë te klientët e saj.
Në përditësimin e fundit, Microsoft bëri të ditur se kishte ndërmarrë disa ndryshime në serverët e prekur, por ato nuk kishin sjellë rikthimin e qëndrueshëm të shërbimeve. Kompania raportoi se në disa rajone ishte vërejtur një përmirësim i pjesshëm, ndërsa vijonte të shqyrtonte masa të tjera për të garantuar stabilitetin e infrastrukturës.
“Po shqyrtojmë se çfarë veprimesh të tjera mund të ndërmarrim për të përmirësuar stabilitetin e përgjithshëm të infrastrukturës”, njoftoi kompania në rrjetin social X.
Sipas të dhënave të platformës Downdetector, e cila monitoron raportimet e përdoruesve për ndërprerjet e shërbimeve, rreth orës 04:30 GMT të së premtes ishin regjistruar më shumë se 18 mijë raportime për probleme me Outlook në SHBA. Ndërprerje u raportuan gjithashtu në Indi, Australi dhe Japoni.
Në kulmin e problemit, rreth orës 13:00 sipas kohës lokale në SHBA të enjten, numri i raportimeve për vështirësi me Outlook kishte kaluar 130 mijë. Ndërprerja kishte zgjatur për rreth 12 orë.
Në një njoftim për gjendjen e shërbimeve, Microsoft shpjegoi se problemet kishin prekur funksionet e Microsoft 365 që varen nga Exchange Online dhe shërbimet e postës elektronike. Ndërkohë, funksionet që nuk mbështeten në këtë platformë vijonin të punonin normalisht. Exchange Online është sistemi në cloud i Microsoft që mundëson shërbimet e postës elektronike, kalendarit, kontakteve dhe detyrave.
Kompania theksoi gjithashtu se nuk kishte konstatuar prova që ndërprerja të ishte shkaktuar nga ndonjë aktivitet keqdashës apo sulm kibernetik.
Ministri australian i Punëve të Brendshme dhe Sigurisë Kibernetike, Tony Burke, tha se sipas informacioneve të marra nga Microsoft, problemi nuk lidhej me një sulm kibernetik. Ai e krahasoi situatën me ndërprerjen e madhe të shkaktuar nga kompania CrowdStrike në vitin 2024, kur një përditësim problematik paralizoi sisteme teknologjike në spitale, banka dhe aeroporte në mbarë botën.
“Besojnë se po përballen me një situatë disi të ngjashme me atë që pamë te CrowdStrike, ku një përditësim shkoi keq”, deklaroi Burke në një konferencë për shtyp.
Sipas tij, ndikimi kryesor i ndërprerjes ishte përqendruar te sistemet e postës elektronike. Mes institucioneve të prekura në Australi ishin edhe agjencia e inteligjencës dhe policia federale.
Probleme u raportuan edhe në institucionet amerikane. Dhoma e Përfaqësuesve njoftoi se ndërprerja kishte prekur përdoruesit e saj dhe se inxhinierët po punonin së bashku me Microsoft për zgjidhjen e situatës. Në Japoni, zëvendëssekretari i kabinetit qeveritar, Masanao Ozaki, konfirmoi se problemi kishte ndikuar në infrastrukturën e sistemeve të informacionit të qeverisë.
Pasojat u ndjenë edhe në sektorin privat. Kompanitë amerikane të inteligjencës artificiale OpenAI dhe Anthropic raportuan probleme me lidhjet e tyre me shërbimet e Microsoft. Ndërsa në Indi, linjat ajrore IndiGo dhe Akasa Air njoftuan se ishin prekur shërbimet e tyre të mbështetjes përmes postës elektronike.
Ndërprerja ndikoi gjithashtu në menaxhimin e fondeve në disa kompani tajvaneze të sigurimeve dhe investimeve. Sipas një burimi të njohur me situatën, njëra prej kompanive u detyrua të anulonte edhe një transaksion të planifikuar për riblerjen e obligacioneve.
Analisti i tregjeve në platformën e investimeve eToro, Josh Gilbert, tha se investitorët mund ta kalojnë pa pasoja të mëdha këtë episod, por paralajmëroi se përsëritja e ndërprerjeve mund të dëmtojë besimin te Microsoft.
Sipas tij, shumica e klientëve nuk mund të largohen menjëherë nga ekosistemi i kompanisë, por problemet e përsëritura mund t’i bëjnë bizneset të mendojnë më shumë përpara se të mbështesin një pjesë gjithnjë e më të madhe të aktivitetit të tyre te një ofrues i vetëm teknologjik.
Microsoft u përball me një ndërprerje të shërbimeve 365 edhe në janar të këtij viti, ndërsa probleme të ngjashme ishin regjistruar edhe në tetor të vitit të kaluar. Muajin e kaluar, kompania raportoi gjithashtu një ndërprerje të platformës së saj cloud Azure, e cila preku programet e produktivitetit dhe një sërë sektorësh në mbarë botën.
Pasojat e ndërprerjes së fundit u shtrinë edhe te kompanitë që nuk lidhen drejtpërdrejt me teknologjinë. Prodhuesi amerikan i kamionëve elektrikë Ëorkhorse Group, i cili pritej të publikonte rezultatet financiare për tremujorin e tretë më 12 nëntor, e shtyu njoftimin për më 16 nëntor, duke përmendur ndërprerjet në aktivitetin e biznesit të shkaktuara nga problemet globale të Microsoft.

