Dua Lipa në krye të Coachella-s, zbulohet lista e artistëve për edicionin e ardhshëm.

Wednesday, November 11, 2026

Festivali prestigjioz i muzikës Coachella ka bërë publik programin artistik për edicionin e ardhshëm, duke konfirmuar një listë të pasur me yje të muzikës botërore. Aktiviteti do të mbahet në dy fundjava, më 9–11 dhe 16–18 prill, në ambientet e Empire Polo Club, në Indio të Kalifornisë.

Vëmendjen kryesore këtë edicion do ta marrin Dua Lipa, Tame Impala dhe SZA, të cilët janë përzgjedhur si emrat kryesorë të festivalit. Pjesë e programit do të jetë edhe Daddy Yankee, i cili do të prezantohet me një performancë speciale në kuadër të projektit “In the Desert”.

Një hapësirë e rëndësishme në skenat e Coachella-s do t’i kushtohet gjithashtu muzikës elektronike. Organizatorët kanë konfirmuar pjesëmarrjen e disa prej DJ-ve dhe producentëve më të njohur ndërkombëtarë, përfshirë Tiësto, Martin Garrix, Dom Dolla, Kygo, Peggy Gou, Charlotte de Witte, Amelie Lens, Sara Landry, Solomun dhe Four Tet.

Një tjetër moment që pritet të tërheqë vëmendjen e publikut është rikthimi i Madonna-s në një nga skenat më të rëndësishme të muzikës amerikane.

Me këtë përzgjedhje, muzika elektronike pritet të jetë një ndër shtyllat kryesore të festivalit, duke sjellë një larmi tingujsh dhe stilesh, nga house dhe techno, deri te melodic techno dhe progressive house.

Ashtu si në edicionet e mëparshme, festivali do të zhvillohet në dy fundjava të njëpasnjëshme, me një program të përbashkët artistik. Kjo do t’u japë mundësi mijëra adhuruesve të muzikës nga vende të ndryshme të botës të bëhen pjesë e një prej ngjarjeve më të mëdha muzikore.

Përmes ndërthurjes së pop-it, muzikës alternative, hip-hop-it dhe elektronikës, Coachella synon të ofrojë edhe këtë herë një eksperiencë të larmishme muzikore dhe të konfirmojë pozicionin e tij mes festivaleve më të rëndësishme në nivel global.

RELATED ARTICLES
Advertisement
DIGICOM