Modelja shqiptare Angela Martini ka bërë publike ndarjen nga bashkëshorti i saj, biznesmeni rumun Dragos Savulescu, duke i dhënë fund spekulimeve që prej muajsh qarkullonin për marrëdhënien e tyre.
Lajmin e ka konfirmuar vetë modelja përmes një postimi në Instagram, ku ka bërë të ditur se historia e tyre e dashurisë i përket tashmë së kaluarës. Në deklaratën e saj, Angela ka theksuar se, pavarësisht ndarjes, djali i tyre do të mbetet gjithmonë gjëja më e rëndësishme për të dy.

“Pas një kapitulli shumë domethënës së bashku, marrëdhënia jonë ka marrë fund. Djali ynë mbetet dhurata më e madhe e kohës sonë së bashku dhe lumturia e mirëqenia e tij do të jenë gjithmonë në vend të parë”, ka shkruar ajo.
Në fund të mesazhit, Martini i ka uruar ish-partnerit të saj më të mirat, ndërsa ka kërkuar mirëkuptim dhe respekt për privatësinë e familjes gjatë kësaj periudhe.
“I uroj Dragosit gjithë lumturinë. Ju falënderoj për mirësinë dhe për respektimin e privatësisë sonë”, ka përfunduar modelja.
Për çiftin ishte raportuar për herë të parë për një ndarje të mundshme në tetor të vitit 2025, kur mediat ndërkombëtare bënë të ditur se Angela kishte nisur procedurat e divorcit pas afro tetë vitesh martesë. Sipas TMZ, në dokumentet gjyqësore si shkak ishin renditur dallimet e papajtueshme.
Megjithatë, shfaqjet e tyre të përbashkëta në rrjetet sociale në fillim të vitit 2026 kishin rikthyer dyshimet se dyshja mund t’i kishte dhënë një tjetër mundësi marrëdhënies.
Angela Martini dhe Dragos Savulescu kurorëzuan dashurinë e tyre në dhjetor të vitit 2017. Nga martesa kanë një djalë, Kyree. Me deklaratën e fundit, modelja duket se ka konfirmuar përfundimisht ndarjen, duke mbyllur kështu pikëpyetjet që kishin shoqëruar jetën e tyre private muajt e fundit.


