Reperi amerikan Macklemore ka nisur të hënën në Dublin të Irlandës turneun “Free Palestine”, pas largimit nga turneu i Ed Sheeran për shkak të deklaratave në mbështetje të Palestinës dhe banorëve të Gazës.
Koncerti në 3Arena u zhvillua para një salle të mbushur plot, me rreth 13 mijë të pranishëm. Në skenë iu bashkuan këngëtari Hozier, grupi Kneecap, Beoga dhe këngëtarja palestineze Lina Makoul. Aktori Mark Ruffalo u shfaq përmes një videoje, duke bërë thirrje: “Vazhdoni të luftoni për një Palestinë të lirë dhe për njerëzimin kudo në botë”.
Gjatë koncertit, Macklemore foli për polemikat e javëve të fundit dhe largimin nga turneu i Sheeran, pas deklaratave të tij në koncertet e 5 dhe 6 shtatorit në Nju Xhersi.
“Gjashtë javë më parë, gjithçka nisi me dy fjalë. Dy fjalë mjaftuan. Fjalë të rrënjosura në dashuri dhe çlirim. Unë thashë: Palestinë e lirë! E njëjta gjë që dëshiroj për të gjithë ne: liri, dinjitet dhe të drejtën për të jetuar pa frikë.”
Fituesi i katër çmimeve Grammy argumentoi se disa njerëz e konsiderojnë këtë slogan kërcënues dhe preferojnë ta heshtin, në vend që të përballen me kuptimin e tij. Ai tha se përmes turneut synon t’u japë njerëzve një hapësirë për të bashkuar zërat dhe për të ndarë dhimbjen e tyre.
Të gjitha të ardhurat nga koncertet, sipas Macklemore, do të shkojnë për organizatat që mbështesin popullin palestinez. Turneu do të vijojë të enjten në Paris dhe të premten në Londër.
Macklemore pretendoi se Sheeran ishte vënë nën presion nga Robert Kraft, pronari i New England Patriots, për ta larguar për shkak të qëndrimeve të tij. Sheeran, nga ana tjetër, deklaroi se vendimi ishte marrë nga organizatori i turneut dhe jo prej tij, duke shtuar se kishte tentuar të ndërtonte një urë komunikimi mes palëve.

