Aktorja dhe komediania e njohur amerikane Amy Schumer dhe shefi i kuzhinës Chris Fischer kanë finalizuar divorcin e tyre në Gjykatën e Lartë të Nju Jorkut.
Sipas Page Six, statusi i çështjes gjyqësore figuron si “e përfunduar”. Megjithatë, nuk dihet ende se kur është finalizuar zyrtarisht procedura, pasi dosjet e divorceve në Nju Jork mbahen të vulosura dhe nuk janë të aksesueshme për publikun.
Schumer kishte paraqitur kërkesën për divorc në janar, pas shtatë vitesh martesë me Fischer, rreth një muaj pasi konfirmoi publikisht ndarjen e tyre përmes rrjeteve sociale.
Në dhjetor 2025, aktorja njoftoi ndarjen përmes një postimi të gjatë në Instagram, ku bëri të qartë se vendimi ishte i vështirë për të dy.
“Chris dhe unë kemi marrë vendimin e vështirë për t’i dhënë fund martesës sonë pas shtatë vitesh”, shkroi ajo, duke shtuar se mes tyre vazhdon të ketë dashuri dhe se prioriteti i tyre do të mbetet rritja e djalit.
Aktorja kërkoi gjithashtu që publiku të respektojë privatësinë e familjes gjatë kësaj periudhe delikate.
Pas lajmit për ndarjen, në rrjet qarkulluan spekulime se vendimi mund të kishte lidhje me humbjen e peshës së aktores. Schumer i hodhi poshtë këto pretendime, duke reaguar me humor dhe ironi në postimin e saj.
Ajo sqaroi se ndarja nuk kishte ndodhur sepse kishte humbur disa kilogramë dhe mendonte se mund të gjente dikë tjetër. Gjithashtu, me nota humori, iu referua Fischer si një kuzhinier tërheqës dhe të vlerësuar me çmime, i cili mund të gjente ende partnere të tjera.
Në fund të mesazhit, Schumer theksoi se, pavarësisht ndarjes, ata do të mbeten gjithmonë një familje.
Amy Schumer dhe Chris Fischer u martuan në një ceremoni private në vitin 2018. Një vit më pas, në vitin 2019, ata u bënë prindër të një djali.


