Katy Perry ka dënuar publikisht përdorimin e hitit të saj “Firework” nga Shtëpia e Bardhë në një video në TikTok që shfaq sulmet ushtarake amerikane ndaj objektivave iraniane, duke theksuar se nuk ka dhënë kurrë leje që kënga të përdorej në këtë kontekst.
Videoja, e cila ka grumbulluar mbi 6 milionë shikime, shfaq pamje të raketave dhe shpërthimeve, ndërsa në sfond dëgjohet “Firework“. Postimi shoqërohej me mbishkrimin: “Irani është paralajmëruar.”
Përmes një reagimi në X, këngëtarja u shpreh e tronditur nga mënyra se si u përdor muzika e saj.
“Jam thellësisht e tronditur dhe e zemëruar që shoh ‘Firework’ të përdoret në llogarinë e Shtëpisë së Bardhë në TikTok si muzikë sfondi për videot e sulmeve ushtarake. Nuk e miratova, nuk më kërkuan miratim dhe në asnjë mënyrë nuk e mbështes,” shkroi Perry.
Ajo shtoi se kënga u krijua si një himn shprese, force dhe vetëbesimi për njerëzit që kalojnë periudha të vështira në jetën e tyre, ndaj përdorimi i saj në një video me imazhe lufte bie ndesh me gjithçka që ajo përfaqëson.
“Muzika ime është bërë për të bashkuar njerëzit, jo për të festuar luftën,” përfundoi artistja.
Katy Perry i bashkohet një liste gjithnjë e më të gjatë artistësh që kanë kundërshtuar përdorimin e muzikës së tyre nga administrata Trump pa autorizim.
Më herët, Olivia Rodrigo reagoi pasi një këngë e saj u përdor në një video që promovonte deportimet. Beyoncé ndaloi përdorimin e “Freedom” në materialet e fushatës së Donald Trump, ndërsa Kesha e quajti përdorimin e hitit të saj “Blow” në një video ushtarake një shpërfillje të jetës njerëzore.
Edhe Sabrina Carpenter e cilësoi “të neveritshëm” përdorimin e këngës së saj “Juno” në një video që tregonte arrestime të emigrantëve nga ICE. Ariana Grande kritikoi Shtëpinë e Bardhë për përdorimin e këngës “Bye“, ndërsa Jess Glynne tha se u ndje “e neveritur” kur muzika e saj u përdor për të promovuar deportimet.
Reagimi i Perry vjen në një periudhë kur emri i saj është shpesh në qendër të mediave edhe për jetën private. Në fund të vitit të kaluar u konfirmua lidhja e saj me ish-kryeministrin kanadez Justin Trudeau, një figurë që ka qenë shpesh objekt sulmesh nga Donald Trump.
Presidenti amerikan e ka kritikuar vazhdimisht Trudeau-n, duke kërcënuar Kanadanë me tarifa dhe madje duke bërë komente ironike për aneksimin e vendit, duke iu referuar ish-kryeministrit si “guvernatori” i “Shtetit të Madh të Kanadasë”.


