Reperi kanadez Drake ka hyrë në histori të muzikës britanike, duke u bërë artisti i parë që debuton me tre albume studio njëkohësisht në Top 10 të “Official UK Albums Chart”.
Më 15 maj 2026, Drake publikoi albumin kryesor “Iceman”, së bashku me dy projekte surprizë, “Habibti” dhe “Maid of Honour”, të cilat u futën menjëherë në top listat britanike.
“Iceman” debutoi në vendin e parë, ndërsa dy albumet e tjera u renditën në vendin e gjashtë dhe të shtatë, duke i dhënë Drake një rekord të paprecedentë në industrinë muzikore.
Të tre projektet përmbajnë 43 këngë dhe bashkëpunime me artistë si Central Cee, 21 Savage dhe PARTYNEXTDOOR. Pas publikimit, Drake theu edhe rekorde në Spotify, duke u shpallur artisti më i dëgjuar brenda një dite në vitin 2026.
Suksesi i tij vjen pas një periudhe të tensionuar në hip-hop, përfshirë edhe rivalitetin e vazhdueshëm me Kendrick Lamar, i cili reflektohet në disa prej teksteve të reja.
Kritikët kanë dhënë vlerësime të përziera, ku disa e kanë cilësuar albumin si energjik dhe të fortë, ndërsa të tjerë e kanë kritikuar për përmbajtje të përsëritur.


