Gazeta e njohur italiane “Corriere dello Sport” i ka kushtuar një artikull sfidës historike mes Kosovës dhe Turqisë, e cila do të luhet sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës, duke theksuar rrugëtimin unik të dardanëve:
“Përzierje rrënjësh, largimesh, rikthimesh dhe fëmijësh të shpërndarë nëpër Europë. Kosova ëndërron Botërorin e saj të parë dhe sot Amerika nuk duket më aq e largët. Fitorja dramatike në Sllovaki, një 4-3 që iu dha edhe më shumë peshë ambicieve, ka ndezur përfundimisht entuziazmin e një kombëtareje të re si shtet, por tashmë e pasur me histori, identitet dhe përkatësi.
Më shumë se një kombëtare, Kosova është pothuajse një hartë gjeografike sentimentale. Nga 23 të grumbulluarit, 13 kanë lindur jashtë dhe vetëm 10 në vend. Zvicra, Gjermania, Suedia, Kroacia, madje edhe Belgjika…; harta e Kosovës kalon nga aty, nga bijtë e diasporës të rritur larg, por që kanë mbetur të lidhur me fanellën që për shumë prej tyre përfaqëson diçka shumë më të thellë se thjesht futbolli. Është një skuadër e ndërtuar mbi dy shpirtra: ai i atyre që kanë
qëndruar dhe ai i atyre që janë larguar. Dhe ndoshta pikërisht kjo është pika e saj më e fortë”.

Në fokus është edhe kapiteni Amir Rrahmani, që pritet të jetë pranë kombëtares sonte, pavarësisht dëmtimit. “Corriere dello Sport” nënvizon ndikimin e Italisë në këtë kombëtare, nga Rrahmani te lojtarë të tjerë në lidhje me Serie A.
Në stol, Franco Foda përshkruhet si simbol i këtij identiteti të përzier: “Si futbollist dhe më pas si trajner, e ka bërë disiplinën markën e tij, por në Kosovë ka gjetur diçka ndryshe: një kombëtare për t’u formuar jo vetëm taktikisht, por edhe emocionalisht. Ka qenë tashmë trajner i Austrisë në “Euro 2020”, por që nga viti 2024 është trajner i një dhome zhveshjeje ku bashkëjetojnë thekse, rrugëtime dhe shkolla të ndryshme futbolli, të bashkuara megjithatë nga i njëjti qëllim.
Në fushë spikat ‘pirati’ Vedat Muriqi, së bashku me talentin Edon Zhegrova. Në portë Arijanet Muriq, në mbrojtje Mërgim Vojvoda, ndërsa në mesfushë përvoja e Valon Berishës. “Corriere dello Sport” thekson se “Kosova, edhe pse e re, ka krijuar identitet: jo thellësinë e të mëdhenjve, por entuziazëm, intensitet dhe motivim unik. Për këto lojtarë, Botërori është më shumë se një kompeticion, është përmbushje identiteti. Ëndrra? E vështirë, por reale. Kosova beson dhe mbështetet jo vetëm te tifozët në Prishtinë, por edhe te bijtë e saj të shpërndarë në gjithë Europën”.



