Xhensila Myrtezaj ka rrëfyer një eksperiencë mjaft traumatike që ka përjetuar në vegjëli dhe bëhet fjalë për prindërit e saj.
Ndonëse ka folur dhe herë të tjera për divorcin e prindërve, ajo kishte mbajtur një “sekret të errët” që e rrëfeu për herë të parë në emisionin “Mirëmbrëma yje” nga Arbana Osmani.
Xhensila tregoi se kur ishte 6 vjeç ka parë babain duke goditur me thikë nënën e saj. Kjo e fundit si pasojë e sulmit me thikë humbi krahun.
E gjitha skena ishte parë nga Xhensila, e cila e përshkroi si ngjarjen më traumatike të jetës së saj.
“Është një periudhë e rëndë e jetës sime. E di pse e dua shumë mamin dhe e vlerësoj, por në të njëjtën kohë dhe e gjykoj që nuk pati mundësinë që ti jepte fund asaj martese përpara se të ndodhte ajo që sytë e mi panë. Im atë nuk e pranoi divorcin nga ime më dhe nëse njerëzit mund të hulumtojnë mami im ka qenë rasti i asaj gruas që u plagos me 7 thika e humbi njërën nga duart dhe e gjitha kjo ka qenë një veprim që është bërë në sytë e mi. Unë kam parë nënën time teksa therrej për këtë vendim dhe gjithmonë e kam ruajtur shumë këtë sekret,” tha ajo.
Ndonëse kjo ishte një ngjarje mjaft e rëndë, këngëtarja theksoi se ai mbetet babai i saj, ndërsa shtoi se vetëm e ëma ka zgjedhur ta falë.
“Nuk e di pse e thashë sepse nuk dua të lëndoj babain se jam e sigurt që ai është penduar për atë veprim që po bënte. Ishte nën efektin e alkoolit. Nëna ime e ka falur. Ai është babai im dhe këtë gjë se ndryshon asgjë në botë”, u shpreh Xhensila.
Po ashtu, këngëtarja tregoi se e ka takuar babanë e saj teksa vuante dënimin për plagosjen e të ëmës. Ishte kjo e fundit që e mundësoi si takim, ndonëse të afërmit nuk ishin dakord që Xhensila të komunikonte sërish me të.