‘Të ndalet LUFTA’/ Yjet e ‘Hollywood’, letër presidentit Biden…

Si sot dy javë, bota u trondit nga një tjetër luftë e përgjakshme mes Palestinës dhe Izraelit që ka lënë mijëra viktima të pafajshme. Ngjarja ka sjellë reagime nga të gjitha shtresat e shoqërisë në mbarë botën.

Personazhe të famshëm të Hollivudit, përfshirë Cate Blanchett, Jessica Chastain, Joaquin Phoenix, John Stewart dhe Michael Stipe, i dërguan një letër për armëpushimin në Rripin e Gazës presidentit amerikan, Joe Biden.

Advertisement

Mes tyre ka qenë edhe këngëtarja me origjinë shqiptare, Dua Lipa.

Me këtë letër, ata i kërkojnë Bidenit të bëjë thirrje për ulje të menjëhershme të tensioneve dhe armëpushim në Gaza dhe Izrael përpara se të humbasë një jetë tjetër.

“Ne besojmë se Shtetet e Bashkuara mund të luajnë një rol të rëndësishëm diplomatik në përfundimin e armiqësive dhe ne i bashkojmë zërat tanë me ato të Kongresit Amerikan, UNICEF-it, Mjekët pa Kufij, Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Shpëtimi i jetës njerëzore është një imperativ moral. Siç thotë UNICEF, “dhembshuria dhe ligji ndërkombëtar duhet të mbizotërojnë”, thuhet në letër

Letra u nënshkrua gjithashtu edhe nga Andrew Garfield, Ayo Edebiri, Channing Tatum, Rooney Mara, Rosario Dawson, Shailene Woodley dhe Susan Sarandon.

Kujtojmë se kjo letër vjen pas kërkesës së Bidenit drejtuar Kongresit për të miratuar 14 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Izraelin.

Izraeli është zotuar të shkatërrojë Hamasin pasi grupi islamik nisi një sulm të papritur nga Rripi i Gazës më 7 tetor, duke vrarë të paktën 1,400 njerëz, kryesisht civilë.

Në përgjigje të sulmit të Hamasit, bombarduesit izraelitë kanë rrafshuar blloqe të tëra qytetesh në Gaza në përgatitje për një pushtim tokësor që ata thonë se do të vijë së shpejti.