Kryetari i fshatit Shakall në Klos, aty ku ishte epiqendra e tërmetit që tronditi vendin një natë më parë, thotë se emergjencat civile pranë bashkisë po neglizhojnë situatën dhe nuk po vijnë të verifikojnë dëmet.
Abdulla Muça, shtëpia e të cilit po ashtu është dëmtuar, shprehet se disa shtëpi janë të dëmtuara por askush s’ka ardhur për t’i parë.
“Ishte lëkundje shumë e fortë. Dolëm jashtë, dolën dhe banorët. Tëmeti shkaktoi probleme. Mora emergjencat civile që mbrëmë. Na thanë na njoftoni për çdo rast, për problemet që keni. Mora anëtarët e lagjeve të gjithë, më njoftuan kush kishte probleme. Këtu ku jemi ne, 30 metër më larg, ka qenë epiqendra e tërmetit. Banorët kanë qenë të terrorizuar, kanë fjetur jashtë..
Isha sot pranë bashkisë, fola me drejtorin e emergjencave civile, tha se secili banor që ka probleme duhet të paraqitet në bashki dhe të thotë për problemet”.
Ndihemi të rrezikuar, thotë Muça që shton se banorët e fshatit Shakall ndihen të rrezikuar.
Tërmeti me magnitudë 4.7 të shkallës Rihter u regjistrua natën e kaluar rreth orës 22:37, ndërsa u pasua nga disa pasgoditje gjatë natës dhe mëngjesit.