Më shumë se 400 mijë euro që policia gjeti në shtëpinë e Rozeta e Hvier Dobit kanë mbetur pa pronar.
Kallëzuesja Alda Klosi, ish-drejtoresha e koncesioneve në Ministrinë e Ekonomisë në kohën kur ministër ishte Arben Ahmetaj deklaron para uniformave blu se vetëm 120 mijë euro dhe disa bizhuteri janë të sajat. Ndërsa e akuzuara deklaron se gjithçka i është gjetur në shtëpi është vjedhur tek shtëpia e zyrtares.
Top Channel mëson zyrtarisht nga policia se para arrestimit të Rozeta Dobit dhe të birit në polici nuk ka pasur asnjë denoncim kundër saj. Ndërkohë që pas arrestimit në komisariat janë paraqitur 5 persona mes tyre 2 të afërm të Alda Klosit dhe një shoqja e saj, të cilët pretendojnë se disa nga bizhuteritë e sekuestruara nga policia në shtëpinë e të arrestuarës iu përkasin atyre, por asnjëri nuk ka ngritur pretendime për shumën e konsiderueshme monetare që policia ka sekuestruar në shtëpinë e të arrestuarës.
Disa prej bizhuterive ishin të personalizuara dhe kishin të gdhendura emra dhe dedikime qe provonin pronësinë. Konkretisht ish-bashkëshorti dhe vëllai i Alda Klosit kanë thënë para oficerëve të komisariatit nr.2 se me sugjerimin e Aldës kanë punësuar Rozetën si pastruese dhe dyshojnë se ajo u ka vjedhur bizhuteri. Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur dhe dy qytetarët e tjerë, Leonard Ciko dhe Altin Dine.
Mospërputhja mes deklarimit të pronares së shtëpisë Alda Klosi dhe dëshmisë së të arrestuarës Rozeta Dobi u diskutua dhe në seancën e masës së sigurisë ku u kërkua sqarim nga avokati mbrojtës.
Pritet që autoritetet të bëjnë një ballafaqim për të kuptuar se kush prej palëve nuk po thotë të vërtetën. Po ashtu pritet që zyrtarja Alda Klosi të provojë me dokumente burimin e të ardhurave të vjedhura në shtëpinë e saj.