Arbana Osmani zbulon detaje për konkurrentët e ‘Big Brother VIP 2’!

Moderatorja Arbana Osmani tregoi në një intervistë për “Wake up” se ndryshe nga viti i kaluar, këtë vit ka një konkurrencë të madhe për të qenë pjesë e “Big Brother VIP”.

“Big Brother, edicioni i dytë VIP, do të nisë brenda këtij viti. Është përzgjedhur kasti. Nuk kemi kërkuar gjëra të veçanta, të çuditshme. Kemi kërkuar personazhe dhe karaktere interesantë, të këndshëm, pas së cilëve njerëzit të afeksionohen. Çfarë ndodhi me Big Brother-in vjet ishte se njerëzit i pëlqenin personazhet e Big Brother-it, u bënë fansa të tyre; nuk është se e ndiqnin Big Brother-in për të parë sherre dhe skandale. Këtë gjë kemi kërkuar prap.”

Advertisement

Në vijim ajo shtoi:

“Ndryshe nga viti i kaluar, janë personazhe më të njohur dhe kanë karriera, nuk po them më të mira, por shumë më aktive dhe më të gjata. Ka një konkurrencë shumë më të madhe se kush do të hyjë. Mesa duket kemi bërë një punë shumë të mirë edicionin e kaluar.”

Referuar pritshmërive, personazhet e këtij viti ndoshta do të lënë në hije ata të vitit të kaluar, por kjo mbetet për t’u parë. Arbana nuk bëri publike datën e nisjes së spektaklit, mirëpo burime për Anabel bëjnë me dije se reality show do të nisë më 24 dhjetor.