Zyrtarisht vendi është mbërthyer nga temperatura ekstreme të cilat do të variojnë: në zonat malore nga -9°C në 00°C, në zonat e ulëta nga -3°C në 06°C dhe në zonat bregdetare nga 00°C në 07°C.
Si është gjendja aktuale në vend?
Rreshjet e dëborës janë ndërprerë, por kjo ka bërë që temperaturat të ulen ndjeshëm në të gjithë Dibrën. Rruga e Arbrit vijon të jetë e bllokuar, ndërkohë që autoritetet kanë vendosur postblloqe në Klos.
Për shkak të ngricave një pjesë e qytetit të Peshkopisë po vuajnë mungesën e ujit të pijshëm, tubacionet kanë ngrirë pasi temperaturat gjatë natës kanë qenë rreth -15 gradë nën zero. Fatmirësisht, deri më tani nuk ka asnjë njoftim për emergjencë shëndetësore apo civile.
Nga ana tjetër, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku bëri thirrje njerëzve të tregohen të kujdesshëm me përdorimin e energjisë elektrike gjatë këtyre ditëve.
Gjatë një komunikimi të fundit, Balluku tha se vendi është në një “situatë të jashtëzakonshme”, duke kërkuar që për të shmangur një krizë në sistemin energjitik, kjo e fundit të mos shpërdorohet.
“Të gjitha akset nacionale janë të aksesueshme, po punohet për mirëmbajtjen e të gjitha akseve, por duhet t’u bëj thirrje drejtuesve të automjeteve të ecin me ngadalë të vendosin zinxhirë dhe rripin e sigurimit. Edhe rrugët dytësore do të punohet që të jenë të hapura, por duhet bashkëpunim. Me këto temperatura, nuk është rasti në 5 ditët e ardhshme të shkoni në zonat turistike.”-u shpreh ajo.