Pajisja që kap shkeljet e shoferëve: Gjobat u dërgohen në shtëpi!

Në akset rrugore do të vendosen pajisje inteligjente, të cilat do monitorojnë gjatë 24 orëve lëvizjen e mjeteve në rrugë, duke regjistruar shpejtësinë, targën e mjetit dhe zbatimin e rregullave të tjera si vendosjen e rripit të sigurisë, apo përdorimin e celularit në timon.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi theksoi se pajisja “nuk njeh mik” dhe se “në mënyrë automatike regjistron shkeljen dhe e çon atë në kohë reale në qendrën e përpunimit që ndodhet në Drejtorinë e Policisë Rrugore”.

Advertisement

Sipas ndryshimeve të bëra në Kodin Rrugor, ai paralajmëroi shtetasit që shkelin në mënyrë të përsëritur rregullat e qarkullimit, se mund të rrezikojnë heqjen e patentës.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, tha se gjoba iu dërgohet shoferëve kundravajtës brenda 30 ditëve nga konstatimi përmes Postës Shqiptare.

“Pajisja do të jetë 24 orë aktive. Identifikimi bëhet nëpërmjet targës, gjejmë adresën e pronarit të mjetit, dhe ia dërgojmë gjobën së bashku me fotografinë e kundërvajtësit, me ditën, orën, vendin ku është konstatuar shkelja. Ne kemi detyrimin të bëjmë njoftimin me postë brenda 30 ditësh”, u shpreh ai.

Pajisja, e prodhuar në Gjermani, mund të vendoset në çdo segment rrugor lehtësisht.