Një ditë para vizitës së tij në Shqipëri, Daul deklaroi se nuk ka shpresa të arrijë ndonjë marrëveshje midis qeverisë dhe opozitës. Ai ka dashur të distancohet, duke thënë se vizita në Tiranë ishte e planifikuar, por nuk ka lidhje me negociatat për zgjidhjen e krizës politike. “Së pari, vizita ime ishte parashikuar prej kohësh. Një vizitë në Ballkan, në Maqedoni dhe Shqipëri. Së dyti, së bashku me Martin Schultz jemi përpjekur që të negociojmë një zgjidhje për Shqipërinë, e cila dështoi javën e kaluar. Por kjo nuk me pengon që të vij në Tiranë për të takuar kryeministrin, të cilin e kam mik, dhe për të diskutuar me të. Mos kujtoni se kam ndonjë iluzion! Nuk pres që nesër të gjej zgjidhjen e situatës. Nuk është kështu”, tha Daul. Pas takimit disa javë më parë në Strasburg në një darkë pune me kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e Partisë Socialiste të opozitës Edi Rama, Doul dhe Schulz, hartuan një draft-marrëveshje për t’u firmosur nga palët, e cila u mbështet nga BE.