Konfirmohet rasti i parë me variantin afrikan të koronavirusit në Kosovë

Kosova ka njoftuar rastin e parë me variantin afrikan. Lajmin e ka bërë të ditur Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, duke shtuar se po punohet për gjurmimin e të gjitha kontakteve, për të parandaluar përhapjen e këtij varianti të rrezikshëm.

“Duke qenë se tashmë rasti është kontaktuar, do të hulumtohen kontaktet për identifikimin eventual të rasteve të reja. Rastet e tilla të virusit mutagjen janë regjistruar tashmë në shumë vende të botës. Ekipet hulumtuese të IKSHPK po gjurmojnë pandërprerë të gjitha burimet e mundshme për të parandaluar përhapjen e mëtutjeshme të rasteve dhe implikimet e mundshme në shëndetin e njeriut”, thuhet në njoftimin e IKSHP-së.

Varianti i Afrikës së Jugut mbart një mutacion, të quajtur N501Y, që e bën atë më ngjitës ose të lehtë për t’u përhapur. Një mutacion tjetër, i quajtur E484K, mund të ndihmojë virusin të shmangë sistemin imunitar të një personi dhe mund të ndikojë në funksionimin e vaksinave të koronavirusit.

Advertisement