Aboneja e përgjithshme e transportit publik nuk do të jetë më në treg për një periudhë 3-mujore. Bashkia e Tiranës ka bërë një njoftim, ku sqaron se në këtë periudhë do të kryhen verifikimet dhe matjet për riorganizimin dhe ristrukturimin e shërbimit të transportit, pas ankesave nga qytetarët dhe monitorimet e inspektorëve në terren.
“Për shkak të ankesave të shumta të qytetarëve, si dhe nga monitorimet e inspektorëve në terren, Bashkia e Tiranës ka planifikuar një periudhë tre mujore për kryerjen e verifikimeve dhe matjeve për riorganizimin dhe ristrukturimin e shërbimit të transportit. Gjatë kësaj periudhe, Bashkia e Tiranës do t’u kërkojë operatorëve të transportit publik qytetës rikthimin në kushte të plota të ofrimit të shërbimit, sipas kushteve të kontratës, duke respektuar kushtet teknike para pandemisë dhe duke ofruar shërbim të plotë me 100% të kapacitetit të mjeteve në operim.
Për këtë arsye, aboneja e përgjithshme e transportit publik do të hiqet nga qarkullimi vetëm për një periudhë të përkohshme tre mujore (qershor, korrik, gusht), me qëllim përshtatjen e strukturës së udhëtimit me volumet e reja të udhëtimit, si dhe vendimet që do të lidhen me itineraret e linjave, frekuencat, kushtet e shërbimit, gjatë periudhës së kryerjes së plotë të shërbimit.”
Abonetë e përgjithshme do të dalin sërish në shitje në muajin shtator, ndërsa abonetë e linjave do të vazhdojnë të jenë në shitje gjatë gjithë kohës.