Kryedemokrati Lulzim Basha ka dënuar plagosjen e ndodhur mbrëmjen e sotme në qytetin e Kavajës. Nga Kavajë, Basha tha së ndëshkimi i atyre që e kryen këtë akt do të ndodhë më 25 prill, në kutinë e votimit. Ai shtoi se kjo ngjarje ka treguar se regjimit i ka ardhur fundi dhe se gjithçka duhet përmbysur.
Ndriçim Jonuzi (Tahiri), personi që plagosi Bledar Okshtunin në zyrat e Partisë Demokratike në Kavajë, është një person me precedent të theksuar kriminalë. Jonuzi është vënë në pranga mbrëmjen e 13 marsit në vitin 2014 në qytetin e Kavajës, pasi ishte shpallur në kërkim nga Interpol Roma për vrasje, ngjarje e ndodhur në vitin 2007.
Teksa kanë kaluar shtatë vite pas arrestimit të tij, Jonuzi endej i lirë në Kavajë dhe mbi të gjitha i armatosur. Mbrëmjen e sotme nën shoqërinë e dy personave të tjerë, të identifikuar si Markel Shtylla dhe Dorian Troplini, Jonuzi u fut në zyrat e Partisë Demokratike dhe plagosi sekretarin Bledar Okshtuni.
“Sonte Kavaja është përballur me një ngjarje të rëndë! Një atentat kundër Partisë Demokratike, kundër Aleancës për Ndryshim, nga një kryeministër që e di se të dielën ai humb, Kavaja Fiton dhe Shqipëria fiton! Një njeri i cili ka humbur çdo lloj kufiri njerëzor dhe që sot hesht, ndërkohë që njerëzit e tij me dhunën dhe aktet e atentatit jo thjesht ndaj një aktivisti tonë, por ndaj demokracisë, tregojnë se këtij regjimi i ka ardhur fundi. Kërkojnë të frikësojnë Kavajën. Kërkojnë të frikësojnë Partinë Demokratike, koalicionin për ndryshim dhe shqiptarët, kërkojnë të na mbyllin gojën. Nuk na e kanë mbyllur gojën kurrë! Nuk i kemi frikë, do të marrin përgjigjen e merituar me votë të dielën nga Kavaja dhe nga e gjithë Shqipëria. Sepse Kavaja e di fare mirë të tilla akte kanë shënuar kthesat e mëdha, rrëzimin e diktatorëve dhe diktaturave. Ato tregojnë frikën në palcë dhe humbjen e toruas nga një njeri dhe një grusht njerëzish që e dinë se shqiptarët janë të vendosur t’i largojë që e dinë që shqiptarët janë më të bashkuar se kurrë për të sjellë ndryshimin. E bashkuar dhe e vendosur më shumë se kurrë është Kavaja, Partia Demokratike, Aleanca për Ndryshim, Shqipëria dhe shqiptarët. Ndaj vëllezër dhe motra, të rinj dhe të reja të Kavajës e mbarë Shqipërisë, le t’ia japim përgjigjën këtij akti burracak, këtij atentati ndaj demokracisë të gjithë masivisht ditën e diel në kutitë e votimit dhe kështu t’i japim fund njëherë e mirë këtij 8-vjeçari makth për shumicën dërrmuese të shqiptarëve e të kthejmë Kavajën e demokracisë, të shpresës e të zhvillimit, Shqipërinë shpresës dhe të ndryshimit të gjithë se bashku. Të gjithë së bashku, asnjë hap mbrapa le të vazhdojmë marshimin tonë ditë për ditë, krah për krah deri ditën e diel ku Kavaja Shqipëria do t’i japin përgjigjen e merituar këtij atentati të shëmtuar kundër demokracisë, kundër Partisë Demokratike dhe kundër koalicionit tonë për ndryshim.
Zoti ju bekoftë ju! Zoti e bekoftë Kavajën demokratike! Zoti e bekoftë Shqipërinë!”