The Weeknd ka reaguar pasi u la jashtë listës së nominimeve për Grammy Awards 2021.
Këngëtari 30-vjeçar bëri të njëjtin postim në rrjetet e tij sociale, Twitter dhe Instagram, disa orë pasi u shpallën të nominuarit për 63 çmime Grammy:
“Grammy-t mbeten të korruptuar. Më detyroheni transparencë mua, fansave të mi dhe industrisë!”
Pavarësisht suksesit që pati, albumi i fundit i The Weeknd, “After Hours” nuk arriti të nominohej. Kënga e tij “Blinding Lights”, e cila ishte në vend të parë në Billboard Hot 100 dhe në Top 10 për 40 javë, gjithashtu nuk arriti në listën e kandidatëve përfundimtarë për këngën e vitit.
“Ne e kuptojmë që The Weeknd është zhgënjyer që nuk është nominuar,” thotë Mason Jr., producent i Grammy-t. “Isha i befasuar dhe e kuptoj. Muzika e tij këtë vit ishte e shkëlqyer dhe kontributi i tij në muzikë është i pamohueshëm.”
Sipas një shkrimi nga TMZ, zyrtarët e Grammy-t i dhanë muzikantit një ultimatum midis dy eventeve, pra ai duhej të zgjidhte mes Grammy-t dhe performancës në Super Bowl 2021.
Mason Jr. e ka mohuar plotësisht këtë.
“Ne ishim të ngazëllyer kur zbuluam se ai do të performonte në Super Bowl dhe do të kishim dashur që ai të performonte edhe në skenën e Grammy-t. Fatkeqësisht, çdo vit, ka më pak nominime sesa numri i artistëve që e meritojnë.”
Ai vazhdoi:
“Për të qenë të qartë, votimi në të gjitha kategoritë përfundoi shumë përpara se të njoftohej performanca e Weeknd në Super Bowl, kështu që në asnjë mënyrë nuk mund të kishte ndikuar në procesin e nominimit.”
The Weeknd ka fituar tre Grammy në karrierën e tij deri më tani. Fitorja e tij e fundit ishte në vitin 2017, kur mori një çmim për albumin më të mirë bashkëkohor urban për “Starboy”.
Aktualisht, Beyoncé kryeson nominimet e 2021-shit me 9 nominime, ndërsa Taylor Swift, Dua Lipa dhe Roddy Ricch kanë 6 nominime secili.