Sharon Stone u tha fansave këtë fundjavë se motra e saj Kelly është diagnostikuar me koronavirus. Aktorja po fajëson “njerëzit pa maskë” për infektimin e së motrës, e cila vuan gjithashtu nga sëmundja e Lupusit, e ndërsa virusi i kërcënon jetën, aktorja e famshme zgjedh që të japë mesazhe sensibilizuese virtualisht përmes profilit të saj zyrtar në IG.
“Motra ime Kelly, e cila ka lupus, tani ka edhe COVID-19. Kjo është dhoma e saj në spital. Një nga ju që nuk ka mbajtur maskë e bëri këtë”, shkruajti ylli i Hollywood-it, teksa bëri publike disa foto nga dhoma e spitalit të motrës së saj.
“Ajo nuk pati një sistem shëndetësor mbështetës. I vetmi vend ku shkoi ishte farmacia”, shkroi Stone. “Nuk ka asnjë provë që tregon nëse jeni asimptomatik dhe ne kemi pesë ditë që presim për rezultatet. A mund të përballeni me gjithë këtë në një dhomë spitali, vetëm? Vendoseni maskën! Për veten dhe të tjerët. Ju lutemi”!
Disa orë më vonë, Stone ndau postimin e motrës së saj duke thënë se ajo mendoi që në muajin Mars që virusi nuk do i infektonte, sepse stili tyre i jetës ishte i përmbajtur. “Pa blerje, pa festa, mezi pashë një njeri të vetëm. Tani duke luftuar për frymë. Ju nuk do donit ta provonit këtë gjendje”, shkroi Kelly Stone. “Ju lutemi ndizni qirinj për motrën time Kelly dhe burrin e saj, mikun tim të dashur Bruce”, tha aktorja në postimin e saj.
Stone gjithashtu ndau një video gati katër minutëshe, të titulluar “Vote to live”, ditën e djeshme ku edhe njëherë shprehu rëndësinë e kujdesit për veten dhe të tjerët, në këtë kohë të vështirë që po jetojmë të gjithë. “Siç e dini shumë prej jush, unë bëra një postim për motrën time që është në spital e infektuar me COVID, si edhe faktin që ajo ka Lupus dhe po lufton për jetën e saj. Unë nuk ju thashë se burri i saj Bruce është gjithashtu në të njëjtin repart, i shtruar në spital me COVID, duke luftuar për jetën e tij dhe se ata u izoluan në shtëpi për aq kohë sa mundën, por sërish u infektuan”, tha Stone.
“Në Montana, ku ata jetojnë, ju nuk mund të testoheni nëse nuk jeni simptomatikë, dhe nuk merrni rezultatet e testit tuaj para pesë ditëve. Gjithashtu, njerëzit me të cilët kanë rënë në kontakt, si nëna ime që ka pasur dy sulme në zemër, ata nuk mund të bënin një provë sepse ajo nuk ishte simptomatike edhe pse mund të kishte qenë pranë kontaktit asimptomatik që u dha atyre COVID”, vazhdoi ajo. “Infermierët në spital që janë duke u kujdesur për ta nuk mund të testohen sepse nuk kanë teste për t’i provuar ata. Ata infermierë po rrezikojnë jetën e tyre dhe nuk mund të testohen”.
Stone u shpreh se gjyshja dhe nëna e saj “vdiqën nga COVID-19”. Para se të përfundonte videon e saj me një fjali aprovuese për zgjedhjen e Kamala Harris nga Joe Biden, ajo shtoi: “Me gratë në fuqi, ne do të luftojmë për familjet tona. Ne do të luftojmë që njerëzit të jetojnë. Ne do të luftojmë që njerëzit të testohen. Sepse vendet e vetme që janë mirë me COVID janë ato që kanë gra në udhëheqje. Ju lutemi votoni. Dhe ju lutemi çfarëdo që bëni, mos votoni për një vrasës”, e mbyll aktorja mesazhin e fuqishëm në videon e fundit të postuar në Instagram.