Një fakt të tillë e ka bërë me dijeni sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, gjatë ministerialit të Aleancës së Atlantikut të Veriut, i cili po zhvillohet që dje në Talin të Estonisë. Kështu, gjatë fjalimit të saj, Klinton ka hedhur poshtë mundësinë e largimit të shpejtë nga Evropa të armëve bërthamore amerikane. Ndërkaq, Klinton theksoi se e ardhmja e armëve bërthamore amerikane në Evropë duhet të përcaktohet nga NATO si tërësi dhe jo thjesht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo shtoi se për sa kohë të ekzistojnë armët bërthamore, NATO mbetet një aleancë me fuqi bërthamore.