Tiranë – Nis pagesa për të dëmtuarit e përmbytjeve

Lajmi është konfirmuar prej Postës Shqiptare, sipas të cilës, orari i pagesave në zyrat postare do të jetë nga ora 13.00 deri në 18.00 për ditën e parë dhe nga ora 8.00 deri në 18.00 për ditët në vazhdim. Më tej, sqarohet se grafikët e pagesave do të jenë të afishuara në çdo zyrë postare pranë njësive të qeverisjes vendore të cilat do të jenë në dispozicion të banorëve. Thuhet se përfituesit duhet të paraqiten në zyrat postare të njësive të qeverisjes vendore me një dokument identifikimi i cili mund të jetë kartë identiteti, pasaportë biometrike ose pasaportë e vlefshme si dhe do të firmos në listë-pagesë sipas formatit të përcaktuar në të: emër, mbiemër, firmë. Punonjësi i zyrës postare do të bëjë verifikimin e personit me listat e dërguara nga njësia e qeverisjes vendore dhe më pas do të paguajë vlerën përkatëse duke e pajisur përfituesin me mandat arkëtimi. Më tej, informacioni ditor mbi kryerjet e pagesave do të dërgohet në Drejtorinë e Përgjithshme të Postës Shqiptare rreth çdo zhvillimi rreth procesit të shpërndarjes së fondit për banorët përfitues. Në fund, sqarohet se pagesat do të kryhen deri në datën 31 maj të këtij viti.

Advertisement