Maqedoni – Presidenti Topi, të punojmë për ngritjen e bashkëpunimit ekonomik

Deklarata e Topit u bë dje në Forumin ekonomik të biznesit maqedonas-shqiptar në Shkup, ku ishte i pranishëm dhe presidenti i Maqedonisë Gjorgje Ivanov. “Ka ende nevojë për të punuar në drejtim të ngritjes së nivelit të bashkëpunimit ekonomik shqiptaro-maqedonas në ato standarde ku aktualisht gjendet bashkëpunimi politik bilateral”, ka thënë Topi në fjalën e tij përshëndetëse. Topi u shprehu mirënjohjen sipërmarrësve të vendit fqinj dhe të gjitha strukturave shtetërore dhe private ekonomike dhe financiare maqedonase për kontributin që kanë dhënë dhe japin në zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë. Në vijim, Presidenti Topi u ndal dhe në disa prej projekteve konkrete të shtetit shqiptar për përmirësimin e hapësirave infrastrukturore në vend, çfarë, së bashku me mundësitë që rrjedhin nga liberalizimi i lëvizjes së lirë, do të kontribuonin në rritjen e mëtejshme të shkëmbimeve tregtare bilaterale dhe rajonale, po ashtu dhe në krijimin e ridimensionimin e bashkëpunimit ekonomik.

Advertisement