Tiranë – Rama, votimi elektronik i pamundur për Shqipërinë

Ai u shpreh se paralelizmi me Estonin dhe Shqipërinë nuk qëndron, pasi kemi të bëjmë me një vend që ka një zhvillim më të madh elektronik. “Nuk kam asnjë kundër, por jam i bindur se është një utopi e parealizueshme në realitetin shqiptar”, u shpreh kreu i PS-së në bashkëbisedimin me gazetarët. Kryetari i Partisë Socialiste theksoi se është faji i medias që ide të tilla i hedh për konsum publik pa i analizuar më parë. Më pas ai ka bërë një pasqyrë të votimit elektronik në Estoni. “Në Estoni votimi elektronik bëhet me internet duke qenë në avangardë me zhvillimet elektronike. Vetëm 25% e njerëzve votojnë elektronikisht dhe 75% e votuesve shkojnë vetë fizikisht”, është shprehur Rama. Ai e ka cilësuar këtë ide si një lëvizje të kryeministrit Berisha për të hequr vëmendjen nga situta politike. Ndërsa gazetarëve u është drejtuar me shprehjen se “ku e gjeni ju lidhjen mes Shqipërisë dhe Estonisë, ku nuk ka asnjë shans shtrirja e internetit dhe garantimi i zgjedhjeve përmes internetit”. Kreu i PS-së ka shtuar se është më e rëndësishme që shqiptarët të votojnë sipas ligjit. “Nuk ka rëndësi nëse voton me internet apo me mushkë, rëndësi ka që të zbatohet ligji”, tha Rama.

Advertisement