Premier League, vlera e “naming rights” rritet me 80% nga 2013

“Të drejtat e emrit” (naming rights) të stadiumit mund të jenë një burim i rëndësishëm nga pikëpamja ekonomike për klubet e futbollit. Përmendim si shembull Anglinë, ku aktualisht 6 klube të Premier League përfitojnë nga marrëveshjet mbi të drejtat e emrit të stadiumeve.

Sipas një raporti të KPMG Football Benchmark, vlera totale e “naming rights” të stadiumeve të Premier League është rritur me 80% në pesë vitet e fundit, nga 74,6 milionë paund në vitin 2013 në 135,6 milionë paund në vitin 2017.

Advertisement

Klubi që arkëton më shumë nga të drejtat e emrit është Manchester City, që merr nga Etihad 19,1 milionë paund çdo vit (kontratë 10-vjeçare). Kontrata me kohëzgjatjen më të madhe është ajo mes londinezëve të Arsenalit dhe Emirates. Nga kjo marrëveshje Gunners përfitojnë 15,3 milionë paund çdo vit, të vlefshme për 22 vjet.

Sipas asaj që shkruan “Birmingham Mail”, edhe Aston Villa po kërkon një marrëveshje për shitjen e të drejtave të emrit të stadiumit historik “Villa Park” duke nisur nga viti 2019. Në fillim të vitit, klubi ia shiti të drejtat e emrit të qendrës së trajnimit “Bodymoor Heth” kompanisë Recon, në një marrëveshje 5-vjeçare.

Megjithatë, situata financiare e klubit nuk është e mirë. Për këtë arsye, pronarët e rinj të klubit po përpiqen të krijojnë burime të reja të ardhurash për të përmbushur rregulloret e Financial Fair Play dhe një marrëveshje sponsorizimi mund të krijonte frymëmarrje në arkat e klubit.

Marrë nga: Monitor