Tiranë – PS tërhiqet për komisionin hetimor, PD e voton

“Në këtë mënyrë, kemi realizuar pikë për pikë atë që tha edhe komisionari evropian, Stefan Fule, për zgjidhjen e krizës politike dhe arritjen e kushteve të integrimit”, tha në fund të votimit, kryeparlamentarja Jozefina Topalli. Më tej, ajo ka pohuar se kjo ishte në fakt “rezistenca e socialistëve” që për muaj të tërë kërkuan transparencën, por kur erdhi momenti i duhur, u tërhoqën. Nga ana e tyre, deputetët socialistë, gjatë momentit të votimit në seancë plenare nga ana e deputetëve të mazhorancës, të nismës për komision hetimor që do realizojë transparencën e procesit të 28 qershorit, e cila në fakt u paraqit prej tyre, e kanë bojkotuar votimin, duke ndenjur në këmbë në karriget e tyre dhe madje duke ironizuar. Menjëherë pas votimit deputeti socialist Blendi Klosi theksoi për mediat se “Ne ishim dhe jemi në protestë” Sipas tij, Partia Socialiste do të mbledhë forumet e saj dhe do të konsultohet për të gjitha masat e aksionit opozitar që do të ndërmarrë pas asaj që ndodhi në seancën e djeshme plenare. Nga ana tjetër përgjigjia ishte e menjëherëshme nga kreu i grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi, i cili tha se “Nëse Partia Socialiste shpalli publikisht tërheqjen e saj nga nismat ligjore që dorëzoi vetë në Kuvend për transparencë të procesit zgjedhor të 28 qershorit, Partia Demokratike nuk ka për ta bërë një gjë të tillë. Madje ajo do t’i shkojë vetë deri në fund kësaj historie, përmes amendimeve që ka bërë në projektligjin e paraqitur nga deputetët socialistë për komisionin hetimor mbi zgjedhjet. “Ju tërhiqeni, por neve jo. Ju vëmë në dispozicion amendamentet tona dhe emrat e komisionit hetimor, edhe pse emrat tuaj do jenë bosh. Për shkak se ju tërhiqeni, ne një farë mënyrë e pranojmë, por jo nga komisioni hetimor”, tha Patozi.

Advertisement