Në vazhdën e punës për disiplinimin e therjeve dhe të tregtimit të produkteve shtazore në funksion të sigurisë ushqimore, AKU ka evidentuar 4 subjekte që tregtonin mish të prodhuar në mënyrë të kundërligjshme – pra nga kafshë të paregjistruara e të paidentifikuara, të cilat nuk i janë nënshtruar kontrollit të domosdoshëm veterinar para dhe pas therjes (ishin pa vulë dhe certifikatë veterinare)
Konkretisht, trupa inspektuese e AKU ka konstatuar:
a. 190 kg mish vici të pasigurt e për rrjedhojë të rrezikshëm në subjektin “Pando Strati” në Pogradec
b. 88 kg mish qengji të pasigurt e për rrjedhojë të rrezikshëm në subjektin “Refije Kapri” në Pogradec
c. 20 kg mish qengji të pasigurt e për rrjedhojë të rrezikshëm në subjektin “Dhimitër Bucuku” Pogradec
d. 10 kg mish derri të pasigurt e për rrjedhojë të rrezikshëm në subjektin “Theodhor Rembeci” në Korçë
Për shkeljet e mësipërme ndaj subjekteve u mor masë administrative gjobë 450.000 lekë, sekuestrim i 308 kg mish me destinacion asgjësimin.
Ndaj subjektit “Refije Kapri” u mor masë bllokim i menjëhershëm i aktivitetit përpos mungesës së plotë të dokumentacionit ushtronte aktivitetin në kushte të rënda higjeno-sanitare.
Gjithashtu AKU është në vlerësim të materialeve edhe për kallëzim penal për veprën penale të parashikuar nga Neni 288/a I K.penal “Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industrial dhe ushqimore”, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, siguron se është në çdo kohë në aksion për identifikimin, kontrollin, evidentimin, dënimin dhe ndalimin e çdo veprimtarie të kundraligjshme e të rrezikshme nga subjektet që neglizhojnë apo shkelin rregullat e Sigurisë ushqimore.
Gjithashtu inkurajon të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast, çdo tentativë abuzimi, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në [email protected] si dhe pranë portalit të bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam” Siguria Ushqimore është një sfidë e përbashkët.