Aretha Franklin, mbretëresha e muzikës Soul, në gjendje kritike për jetën

Aretha Franklin raportohet të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe në ditët e fundit të jetës.

Mbretëresha e “soul”-it, sot 76 vjeç, rrethohet nga familja e saj në Detroit, të cilët kanë kërkuar për lutje dhe ruajtje privatësie për legjendën e muzikës, e cila është përballur me disa probleme shëndetësore gjatë viteve të fundit.

Advertisement

Aretha ka qenë ende aktive duke performuar më së fundi vitin e kaluar, por verën e 2017-s ajo u detyrua të anulonte një seri koncertesh, për shkak të “urdhrave të doktorëve”. Performanca e saj e fundit ka qenë më 2 nëntor të vitit 2017, për fondacionin “Aids” të Elton Johnit në New York.

Performanca e fundit përpara publikut, ndërkohë, është mbajtur në “Mann Center” të Philadelphias, në gushtin e vitit të kaluar. Në fillim të atij viti, ajo do të bënte të ditur se 2017-a do të ishte i fundit aktiv i saj.

“Do të vazhdoj të regjistroj muzikë, por ky do të jetë viti im i fundit nëpër koncerte”, njoftoi ajo gjatë një interviste radiofonike në shkurt të vitit të kaluar.

Ikona e muzikës “soul” ka vuajtur përgjatë të gjithë jetës së saj nga problemet me peshën, ndërsa është përballur edhe me alkoolizmin, por edhe me duhanpirjen.

Aretha ishte e para femër e përfshirë në Hollin e Famës së “Rock and Roll”-it në vitin 1987, ndërkohë që ka kryesuar edhe listën e “artistëve më të mirë të të gjitha kohërave” të “Rolling Stones”. Ajo ka fituar 20 çmime “Grammy” gjatë karrierës së saj, përfshirë edhe 3 nderime speciale: Çmimin e Legjendës (1991), Çmimin e arritjeve jetësore (1994) dhe personi i vitit nga “MusiCares” në vitin 2008.