Ka shkuar në 5 numri i viktimave të sulmit në redaksinë e gazetës “Capital Gazette”, në Maryland të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Një person i armatosur u fut në zyrat e redaksisë së gazetës dhe filloi të qëllojë të gjithë me radhë, ndërsa shumë prej të pranishmëve u fshehën poshtë tavolinave të punës, deri në momentin që u ndalën të shtënat.
Policia arriti të arrestojë agresorin dhe po e merr në pyetje, ndërsa nuk dihen ende shkaqet që e kanë shtyrë atë, të sulmojë me armë redaksinë e “Capital Gazette”.
Phil Davis, një reporter i kësaj gazete ka konfirmuar të shtënat ndaj disa personave pa dallim, ndërsa hetuesit thonë agresori Jarrod W. Ramos, 38 vjeç, veproi i vetëm dhe ende nuk dihet shkaku i sulmit.
“Capital Gazette” zotërohet nga grupi mediatik “Baltimore Sun”, me pronarë më të mëdhenj “Tronc Inc.”. Policia është urdhëruar gjithashtu të kontrollojë dhe sigurojë edhe mjediset redaksionale të “Baltimore Sun”.
“Capital Gazette” është një e përditshme e shtypit të shkruar në qytetin Annapolis të Marylandit, ndërsa gazeta e saj simotër, “Maryland Gazette” është një prej më të vjetrave amerikane.
Pas sulmit të kryer dje në gazetën amerikane, presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se mendimet dhe lutjet e tij janë me viktimat e sulmit dhe familjet e tyre.
“Mendimet dhe lutjet e mia janë për viktimat dhe familjet e tyre”, ka theksuar presidenti Turmp sapo ka është njoftuar për sulmin.