Fabrika e riciklimit të mbetjeve urbane në zonën e Kasharit dhe qindra tonë plastike u përfshinë nga zjarri rreth orës 10:00 të paradites.
Vatra e zjarrit doli jashtë kontrollit brenda pak minutave, megjithëse në vendngjarje u dërguan të gjitha forcat zjarrfikëse të Tiranës, dy mjete të ushtrisë dhe dy autobotë të ujësjellësit të bashkisë.
Zjarri masiv ishte kërcënues edhe për bizneset ngjitur për shkak se fare pranë fabrikës ndodhet edhe një pikë karburanti, një spital privat dhe studiot e televizionit Top Channel.
Nën flakë u përpinë edhe shtyllat e energjisë elektrike, çka solli ndërprerje të energjisë. OSHEE njoftoi se linjat që lidh Unazën e re me zonën e Mëzezit është djegur.
Por ndërsa forcat zjarrfikëse ndesheshin me flakët banorët dolën nga shtëpitë e tyre. Shumica nga frika e të tjerë nga kureshtja.
Të tjerë banorë të zonës ose jo, ndiqnin në heshtje se si flakët vendosën nën pushtet fabrikën ku ata punonin.
Nga ana tjetër është ende herët për të dhënë një pistë mbi shkaqet e rënies së zjarrit. Për momentin ajo që mund të thotë njeriu që parandalon zjarret është se në fabrikën “Everest” mungonin kushtet e sigurimit të mbrojtjes nga zjarri, e për këtë gjashtë muaj më parë iu ishte lënë detyrë plotësimi i tyre.
Me gjithë përpjekjet gjithçka u shkrumbua, ndërsa përveç reve të zeza të tymit, ajo që do ngelet pas kësaj ngjarjeje është ndotja e lartë e ajrit në kryeqytet.
Kjo fabrikë, e cila qëllimin e kishte për të ricikluar mbetjet jo vetëm të Tiranës, këtë të diele u kthye në ndotësen më të madhe. Reja shumë toksike që u prodhua nga djegia e plastikës, është përhapur në gjithë Tiranën.
Ndërkohë banorët e zonës kanë raportuar për BalkanWeb se herë pas here kanë dëgjuar shpërthime që vinin nga fabrika, ndërkohë që kreu i Shërbimit të Zjarrfikësesh tha se nuk ka vend për panik.
“Në momentin që reja e tymit është shfaqur, jemi në momentin përfundimtar. Fillimisht u përqendruam në magazinat që janë afër këtij biznesi, me sigurimin e magazinave, tani jemi të përqendruar tek objekti ku ra zjarri dhe reja e tymit do të ulet. Ne kemi angazhuar të gjitha forcat e zjarrfikëses këtu, janë në vendin e ngjarjes. Kemi edhe bashkëpunim nga bashkia Vorë dhe Durrës dhe bashkëpunim kemi nga mjetet e ushtrisë dhe nga botet e Bashkisë së Tiranës. Magazina ku u shfaq zjarri kanë qenë të rrezikshmërisë së lartë. Ne herë pas here e kemi këshilluar dhe ndëshkuar me masa administrative këtë fabrikë. Shpërthimet e herëpashershme kanë qenë të shkaktuara nga gazrat, dhe nuk ka arsye që të alarmohemi. Nuk ka rrezik as për qytetarët, as për punonjësit tanë dhe askënd. Po i japim goditjen e fundit.”, tha Goxhaj.