Ditën e djeshme u nda nga jeta doktoresha e njohur, Rushen Golemi, kirurgia e parë femër në Shqipëri.
Ajo kontribuoi për shumë vite në mjekësinë shqiptare, teksa numëron mbi 1500 ndërhyrje kirurgjikale, ndërsa për shumë vite ka qenë Shefe e Shërbimit të Kirurgjisë në Spitalin ‘Nënë Tereza’ dhe pedagoge e Fakultetit të Mjekësisë.
Rushen Golemi ka qenë gjithashtu për pak kohë edhe deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë, ndërsa është angazhuar edhe në lëvizjen për ndryshimin e sistemit në vitet 90.
Partia Demokratike dhe kryetari i saj, Lulzim Basha, i shprehin ngushëllimet familjarëve të Dr. Rushen Golemi.
Lajmin e bëri të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, përmes një postimi të ndjerë në Facebook.
Deputeti dhe kolegu i saj, Tritan Shehu ka shprehur gjithashtu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të mjekes së njohur.
Postimi i Tritan Shehut në Facebook:
“Sot u nda nga jeta Dr. Rushen Golemi.
Nje lajm shume i hidhur ky per familjen e saj, per te gjithe ne, qe patem fatin e privilegjin te punojme me ate ne sallen e operacionit, ambjentet spitalore, diten dhe naten, ne Tirane e larg saj, kudo ku njeriu kishte nevoje per ndihmen e kirurges se shquar, humane e te pa epur.
Dr. Rusheni, nje mjeke e rralle, e pa perseritshme ndoshta, por dhe nje zemer e madhe qe rrahu per Demokraci e Perendim.
Deputete e PD e zgjedhur me 1992, atehere kur duhej permbysja e te lindete liria.
Jeta e saj si mjeke, kirurge, pedagoge, deputete, pa harruar kurre dhe familjen, jane modeli me i mire per kedo qe aspiron te beje dicka te vlefeshme ne jete.
I pa harruar do te jete kujtimi i saj”.