Në emisionin “më të nxehtë të mëngjesit”, Chaud Patate në radion ENERGY, këtë herë zbuluam disa detaje interesante lidhur me Festivalin e 56-të në Radio Televizionin Shqiptar.
Performanca e parë ne festival do të jetë nga kantautori italian Riccardo Cocciante, i cili do të këndojë dhe dy hitet e tij për publikun shqiptar, një prej të cilave “Margherita”.
Duhet thënë se këtë herë skenografia ka një ngjashmëri të madhe me atë të çmimeve Oskar, ku do të mbizotërojë ngjyra e arit. Ndërsa Orkestra nuk do të jetë e dukshme për publikun.
Pjesëmarrësit e natës së parë janë disa nga artistët më të njohur dhe më të mëdhenj të muzikës shqiptare, duke përmendur këtu emra si Elton Deda, Manjolla Nallbani, Vëllezërit Korçarë (Endri & Stefi), Redon Makashi, Mariza Ikonomi, Eugent Bushpepa etj. Duhet të themi se ky i fundit, gjatë momentit të transmetimit të emisionit, reagoi pozitivisht me përkthimin e titullit të këngës nga “zysha jonë e anglishtes”.
Krah Krastës, për herë të parë në festival, nuk do të ketë vetëm një apo dy moderatore, por për çdo këngë do jetë një prezantuese e re surprizë. Ato do të jenë nga fusha të ndryshme si televizoni, gazetaria dhe shoqëria civile.
Chaud Patate zbuloi emrat e dy prej tyre, Zerina Kuke, ikona e Televizionit Shqiptar dhe gazetarja e njohur e reportazheve, Alma Çupi.
Për më tepër, Flori, Rudina dhe Suada do të japin më shumë informacione në ditët në vazhdim lidhur me festivalin.