Gjatë natës janë hapur argjinaturat në lumin Osum dhe Vjosë.

Zonat më të prekura nga vërshimi i ujit në këto zona janë Frakulli në Fier dhe Novosela në Vlorë, ku janë angazhuar 500 forca të ushtrisë, të cilat që prej ditës së djeshme kanë evakuuar njerëz dhe gjënë e gjallë atje. Sipas raportimeve, janë larguar me dhjetëra familje, ndërsa niveli i lumit po rritet me shpejtësi. Më të kërcënuar janë banorët e Novoselës. Ndërsa uji në urën e Mifolit ka kaluar mbi sipërfaqen e urës.

Advertisement

Një familje e përmbytur nga Vjosa është strehuar në konviktin e shkollës “Rakip Kryeziu” në Fier, ndërsa dhjetëra familje të tjera janë shpërngulur te të afërmit. Dy persona kanë mbetur të bllokuar në një lavanteri në fshatin Çerven. Të përmbytura raportohet të jenë edhe 4000 hektarë tokë bujqësore në fshatrat Kashisht, Çerven, Hambar e Varibop të njësisë administrative Levan, ndërsa lumi vazhdon të përmbytë sipërfaqe të tjera toke. Gjendja sa vjen e rëndohet.

Vijon të jetë e rënduar situata nga moti i keq në Bulqizë. Aksi Qafë e Buallit-Bulqizë kalohet me probleme për shkak të pranisë së ujit në rrugë. Problemet në këtë aks vijnë edhe si pasojë e rrëshqitjeve të inerteve. Ndërkohë, të dëmtuara nga përmbytjet janë edhe dy ura, ndërsa është në rrezik edhe argjinatura e lumit Drin, në Gjoricë. Probleme me energjinë elektrike në këtë qark kanë dy fshatra në njësinë administrative Ostren dhe një fshat në njësinë administrative Martanesh.

Në Gramsh, për shkak të rrëshqitjes së gurëve janë bllokuar fshatrat Gribë, Tunjë, Grabovë, ndërsa në Elbasan, Librazhd dhe Gramsh disa fshatra janë ende pa energji elektrike. Ndërkohë, në Fier 3 efektivë të policisë u bllokuan nga uji pranë fshatit Ferras. U desh ndërhyrja e forcave të ushtrisë për të nxjerrë policët e bllokuar.

Në Gjirokastër, si pasojë e reshjeve, rrugët e qytetit janë të mbuluara nga uji. Probleme ka patur në aksin Virua–Kardhocë, ndërsa raportohet se në Tepelenë ka rrëshqitje dherash. Pas daljes nga shtrati të lumit Vjosa, përmbytje pati edhe në Memaliaj, ndërsa vijon rrëshqitja e dherave në zonën e Ujit të Ftohtë.