Rikthimi i Joshua Tree ishte kronikë e një suksesi të garantuar dhe U2 po e tregojnë se nuk u gabuan aspak kur vendosën t’i risillnin publikut të vjetër e atij të ri albumin që i bëri të shijonin majat e famës botërore.
Turi promovues nisi 12 majin e këtij viti në Vankuver të Kanadasë dhe ende nuk ka përfunduar, por regjistron që tani 123 milionë dollarë fitime duke u renditur i pari në box office.
62 milionë u siguruan vetëm nga 10 shfaqjet e para të turneut në Amerikën e Veriut. Ato koncerte, sipas Billboard Magazine tërhoqën më shumë se gjysmë milionë admirues. Pjesa e dytë e turit, që e risolli grupin irlandez në Europë, nisi më 8 korrik në stadiumin Twickenham të Londrës.
Muzika e tyre fenomenale, kombinuar me një performancë të jashtëzakonshme skene, e bëri sërish të pamohueshëm adhurimin e fansave.
Në “Kontinentin e vjetër”, gjigantët e rrokut do të qëndrojnë deri më 1 gusht për t’u kthyer sërish në shtator në Amerikën e Veriut.
Zemrat e fansave të grupit në Amerikën Latine do të ngrihen peshë nga ndalesa e tij atje në muajin tetor. Me këngë epokale si “With or without you”, apo “I still haven’t found what I’m looking for”, “The Joshua Tree Tour 2017” e ul siparin në Brazil.
Më shumë se 25 milionë kopje të albumit të jashtëzakoshëm u shitën në mbarë botën pas hedhjes se tij në treg 30 vjet më parë, duke shënuar pikën kulmore të U2, që përmes muzikës rrok prekën edhe çështje sociale e politike.