T. J. Miller, ylli i filmit “Emoji”, pa dashje i bëri një publicitet edhe më të madh produksionit të shumëpritur në nisje të Festivalit të 70 të Kanës. Si pjesë e promovimit, Miller u ul me parashutë mbi një varkë, por pak sekonda më vonë humbi ekuilibrin dhe ra brenda në ujë. Sigurisht që një nga emrat më të famshëm të humorit në SHBA nuk mund ta kalonte veçse me humor gafën e tij, duke pretenduar se e bëri me dashje. Filmi “Emoji”, i vendosur në botën e “Textopolis”, tregon historinë e një “emoji”, zëri i të cilit është i Miller dhe që lufton për të qenë normal.

“Filmi është një mënyrë e mirë që fëmijët të rrinë urtë. Por është për të gjithë. Prindërit dhe fëmijët përdorin ‘emoji’ në mesazhet e tyre dhe kjo është një gjuhë ndërkombëtare”, tha T. J. Miller, aktor.

Advertisement

Pjesë e filmit janë emra të tjerë të njohur, si Ana Faris dhe Sofia Vergara, por edhe aktori i famshëm britanik, Patrick Stewart, i cili duhet thënë se ka qenë i pafat, pasi zëri i tij është ai i “emojit” të jashtëqitjes.

Filmi “Emoji” nuk do të transmetohet gjatë Festivalit të Kanës, që të mërkurën nis edicionin e tij të 70. Ky është festivali më i rëndësishëm i filmit në botë dhe në këtë edicion do të paraqiten 50 filma nga 30 vende të botës. 19 prej tyre pretendojnë të fitojnë çmimin kryesor të “Palmës së Artë”, ndërsa në tapetin e kuq do të zbresin yje të “Hollywood”-it, si Nicole Kidman, Marion Cotillard, Kristen Stewart, Joaquin Phoenix, apo Jake Gyllenhaal.