Tiranë – Majko kundër ndryshimeve në statut, pro rikandidimit të Ramës

“Media do të jetë e pranishme, askujt nuk i është thënë “mos fol në media”. Një kongres tërësisht i hapur me të gjitha llojet e mediave brenda në fund të fundit do t’i hiqte disa vlera diskutimit i cili kërkon dhe një moment konfidencial në gjirin e delegatëve. Nuk besoj se të gjitha partitë e tjera, në mbledhjet e kryesisë, të asambleve etj, duhet të jenë të hapura. Mendoj që duhet gjetur një balancë midis të hapurës dhe transparencës me atë që quhet konfidenciale për zhvillimin e gjërave normale në parti” deklaroi Majko në një intervistë për BBC-në. Majko vë theksin që Kongresi i PS-duhet të marrë një vendim lidhur me zgjedhjet parlamentare dhe më pas të merret me atë që ka të bëjë me statusin e PS-së, si dhe me zgjedhjet apo rizgjedhjet e kryetarit të PS-së. “Për momentin aktual ajo që na kërkohet të gjithëve është vendim-marrja politike lidhur në raportet me zgjedhjet, pastaj elementë të tjerë të cilët kanë të bëjnë me ndryshimet statutore këto mund të jenë pjesë dhe e diskutimeve apo dhe asaj që do të zhvillohet si fushatë elektorale për kandidatët për kryetar në PS.” Më tej Majko, i cili është pro rikandidimit të Edi Ramës si kryetar i PS-së shprehet kundër propozimeve të një grupi anëtarësh për ndryshimet statuore, të cilat nuk do të lejonin rikandidimin për kryetar partie në rast humbjes së zgjedhjeve dhe i konsideron debatet pjesë e garës në PS. “Këtu bëhet fjalë për të drejtën për t’u votuar dhe për të votuar. Nëse dikush mendon që ish-kryetari i PS-së nuk duhet të rikandidojë për këtë apo atë post, mendoj që kjo i kalon limitet e një fushate normale brenda një partie. Secili ka të drejtën e vet të shkojë tek anëtarësia, të shpjegojë arsyet e veta pse kandidon, të shpjegojë arsyet edhe pse dikush nuk duhet të rizgjidhet në një pozicion të caktuar, por nuk mundet që nëpërmjet rregullave të imponuara t’i thotë dikujt për një arsye të caktuar që t’i nuk duhet të rikandidosh. “ Më poshtë vijon intervista e plotë e Majkos për BBC “Mendoj që një pjesë e gjërave mbeten në planin e asaj që thuhet në një forum, jo i fshehur nga sytë e publikut, por gjithsesi ka kufizimet e veta. Mbledhja e djeshme, pavarësisht se çfarë ka dalë në publik, më shumë u përqëndrua tek diskutimi politik i asaj që do të diskutohej në kongres dhe ka patur një lloj ndarje lidhur me faktin nëse kongresi duhet të kishte si bosht të vetin ndryshimet statutore apo qëndrimin politik karshi zgjedhjeve. Unë kam qenë me pozicionin e asaj që u vendos në Asamblenë Kombëtare që për momentin aktual ajo që na kërkohet të gjithëve është vendim-marrja politike lidhur në raportet me zgjedhjet. Pastaj elementë të tjerë të cilët kanë të bëjnë me ndryshimet statutore, këto mund të jenë pjesë dhe e diskutimeve apo dhe asaj që do të zhvillohet si fushatë elektorale për kandidatët për kryetar në PS-së. Pra, secili kandidat mund të shfaqë dhe opinionet e veta lidhur me ndryshimet statutore në vazhdim. Fokusi i kongresit do të jetë qëndrimi i socialistëve ndaj zgjedhjeve, ndërsa ndryshimet në statut mund të merren mbas kongresit ç‘ka do të thotë që ju do ta zgjidhni në Kongres, kryetarin e partisë tuaj dhe një nga pikat që pretendohet të ndryshohet nga hartuesit e kësaj pakete është pikërisht moslejimi i rikandidimit të atij kryetari që i humbet zgjedhjet. Këtu bëhet fjalë për të drejtën për t’u votuar dhe për të votuar. Mendoj që në çdo rast statuti i PS-së, parimin bazë ka të drejtën e zgjedhjes. Mendoj që për të gjithë kandidatët që do të ofrohen për postin e kryetarit u afrua një hapësirë mëse e mjaftueshme qoftë në faqet e gazetës ZP, qoftë me përfaqësues në komisionet zgjedhore dhe elementë të cilët unë i konsideroj të natyrshëm për një fushatë. Ndërsa një diskutim, i cili në një mënyrë apo tjetër, i thotë dikujt që duhet të kandidosh, mendoj që është jashtë llogjikës së diskutimit për një fushatë normale. Nëse dikush mendon që ish-kryetari i PS-së nuk duhet të rikandidojë për këtë apo atë post, mendoj që kjo i kalon limitet e një fushate normale brenda një partie. Secili ka të drejtën e vet të shkojë tek anëtarësia, të shpjegojë arsyet e veta pse kandidon, të shpjegojë arsyet edhe pse dikush nuk duhet të rizgjidhet në një pozicion të caktuar, por nuk mundet që nëpërmjet rregullave të imponuara t’i thotë dikujt për një arsye të caktuar që t’i nuk duhet të rikandidosh. Zoti Majko, ju jeni një nga socialistët më të vjetër pavarësisht moshës tuaj të re. Këtu po citohet si “hap mbrapa” në demokracinë e socialistëve mos lejimi i medias, përtej kohës së raportit dhe paraqitjes sipas kandidatëve. Si ju duket ju kjo masë? Media do të jetë e pranishme, askujt nuk i është thënë “mos fol në media”. Problemi është që ka rregulla përsa i përket zhvillimit të disa seancave, të cilat nuk është hera e parë që ndodhin në kongreset e PS-së. Nëse kjo do të kishte ndodhur për herë të parë mendoj që kjo do të ishte e pranueshme në llogjikën që diçka po ndodh në PS. Një kongres tërësisht i hapur me të gjitha llojet e mediave brënda në fund të fundit do t’i hiqte disa vlera diskutimit i cili në fund të fundit kërkon dhe një moment konfidencial në gjirin e delegatëve. Nuk besoj se të gjitha partitë e tjera, në mbledhjet e kryesisë, të asambleve etj., duhet të jenë të hapura. Mendoj që duhet gjetur një balance midis të hapurës dhe transparencës me atë që quhet konfidenciale për zhvillimin e gjërave normale në parti. Votimi do të jetë i fshehtë apo jo? Sigurisht. Ju e keni deklaruar votën tuaj pro Edi Ramës. Përse duhet të vazhdoj zoti Rama, të jetë kryetar i PS-së, zoti Majko? Arsyet zoti Rama do t’i thotë në kongres. Jam shprehur në publik dhe mendoj që gjërat duhen marrë me qetësi sipas asaj që unë gjykoj. Gjërat në Shqipëri, për një situatë jo standarde, nuk duhet të orientohen drejt gjërave strikte, siç janë shkruajtur në rregulloret e partive. Mendoj se, pa dashur të kontestoj faktin që dikush në PS thotë që Edi Rama nuk duhet të rikandidojë për kryetar, unë këtë e shoh më gjërë dhe jam i bindur që statuti i PS-së dhe qëllimet politike të PS-së, duhet të ecin paralel dhe jo të përplasen me njëra-tjetrën. Ajo që ka ndodhur në zgjedhjet e qershorit të kaluar, mendoj se duhet parë ashtu siç është dhe jo sipas një formulimi statutor. Nga pikëpamja matematikore të rezultantes që ka ndodhur, në parlamentin e ardhshëm PS është në opozitë, por kjo duhet parë më gjerë dhe lidhur me këtë ka qenë një pjesë e debatit të zhvilluar dje në kryesinë e PS-së dhe mendoj që do të vazhdojë. Ne pak a shumë i ngjajmë skuadrës që na është bërë një gol në pozicion jashtë loje dhe nuk mendoj se për këtë duhet t’i drejtohemi të gjithë trajnerit. Meqë bëtë krahasimin me futbollin, megjithëse goli është pozicion jashtë loje, kur arbitri e ka quajtur gol ndeshja ka mbaruar. Jam në një mendje me ju, por besoj se ndajmë të njëjtin opinion së bashku që në këtë rast kur jemi të vetëdijshëm që goli ka qenë pozicion jashtë loje, jo të gjithë duhet t’i ulërasim trajnerit. Ajo që ka ndodhur aktualisht me zgjedhjet e fundit në Shqipëri dhe nga ajo që po vlerësohet nga ana jonë është pozicioni politik, është gjëja e parë që duhet të vlerësohet dhe diskutohet në raport me atë që ka ndodhur në zgjedhjet e fundit dhe pastaj të shikojmë atë që ka të bëjë me statusin e PS-së, si dhe me zgjedhjet apo rizgjedhjet që do të kemi në PS. Në fund fare duhet nënvizuar ajo që quhet e drejtë apo jo, e moralshme apo jo dhe kjo do të vendoset nga antarësia e PS-së. Ne do përpiqemi të gjejmë një balancë dhe me atë që ndajmë opinione të kundërta brenda PS-së.

Advertisement