Biblioteka Kombëtare nëpërmjet një njoftimi për mediat sqaron ngjarjen e ndodhur sot në mjediset e saj ku rreth orës 10 e 40, në njërën prej hapësirave të fondeve të bibliotekës, nëpërmjet sistemit elektronik të sigurisë dhe mbrojtjes nga zjarri u sinjalizua me sirena të brendshme e të jashtme ekzistenca e një vatre zjarri.
Drejtuesit e BK, sqarojnë se menjëherë u ndërmor zbatimi i protokollit zyrtar për të tilla raste, në bashkëpunim me Shërbimin e Zjarrfikëseve, Policinë e shteti, emergjencave civile dhe shëndetësore.
“Ky protokoll, nga ana e BKSH-së, parashikon evakuimin e menjëhershëm nga mjediset e bibliotekës. Mbas këtij evakuimi, vetëm një prej punonjësve shfaqi shqetësime të lehta me frymëmarrjen dhe mori shërbimin e menjëhershëm shëndetësor dhe është jashtë rrezikut për jetën. Situata u morr menjëherë në kontroll nga Shërbimi Zjarrfikës, i cili jo vetëm u paraqit me shpejtësi në vendngjarje, por punoi me përkushtim dhe profesionalizëm për vënien nën kontroll sa më të shpejtë të situatës”, thuhet në njoftim..
Gjithashtu saktësohet se “nga të dhënat paraprake nuk na rezulton të jetë prekur mjedisi ku ruhen vlerat e rralla dhe arkivi shqip i BKSH-së dhe as Baza Elektronike e të Dhënave Kombëtare të BKSH-s”.
“Në kushtet aktuale është ende herët të dalim në përfundime profesionale mbi dëmet e shkaktuara dhe sapo të na krijohet mundësia ne do të komunikojmë sërish së bashku për të shkëmbyer informacione. E rëndësishme është që sistemi ka funksionuar në të gjitha hallkat e veta dhe falë koordinimit të menjëhershëm të të gjitha strukturave dhe institucioneve, si Shërbimi i Zjarrfikëseve, Policia e shtetit, emergjencat civile dhe specialistët e BKSH-së, situata u vu për pak minuta në kontroll”, përfundon njoftimi për mediat.