Izmir Smajlaj është shpallur kampion Europe në kërcim së gjati, duke thyer edhe rekordin kombëtarë me kërcimin e tij 8.08.

Në Europianin e sallave që po zhvillohet në Beograd, atleti shqiptar ka mundur të ngjitet në shkallën më të lartë të podiumit duke mbajtur premtimin dhe duke i dhënë shansin për herë të parë në histori vendit tonë që të ketë një kampion Europe në mbretëreshën e sporteve, atletikë.

Advertisement

Nga 6 tentativat që kishte në dispozicion, Smajlaj nuk plotësoi vetëm dy dhe me avantazhin e më shumë provave të sakta arriti të lë pas suedezin Mishel Torneus që gjithashtu kërceu 8.08 dhe ukrainasin Serhi Nikiforov, i cili kërceu 8.07.

Ky është suksesi i dytë brenda pak ditëve për Smajlajn pikërisht në Beograd, ku përpara Europianit u zhvillua edhe Ballkaniada.

Ndërkohë, atletja tjetër shqiptare Luiza Gega u rendit në vendin e pestë në garën e saj të 1500 metrave, një pozicion të cilin deri diku e kishte paralajmëruar me pritshmëritë e saj të ulëta në këtë disiplinë që nuk është më e saja, duke qenë se gjithë përgatitjet i ka bërë për garën e 3000 metrave me pengesa. Në këtë disiplinë do të marrë pjesë në Botërorin e këtij viti që do të zhvillohet në Mujin gusht në Londër.

Ndërkohë, ceremonia e medaljeve për Izmir Smajlaj do të zhvillohet ditën e diel, në ditën e mbylljes së këtij Europiani.