Të gjitha subjektet që nuk do të krijojnë kushte për punësimin e personave me aftësi të kufizuar do të gjobiten nga 10 deri në 50% të vlerës së pagës minimale.

Ky është detyrimi që do të parashikojë projektligji i ri i Inspektimit. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, gjatë analizës së punës vjetore të Shërbimit Social Shtetëror, tha se aksesi për personat me aftësi të kufizuar, në subjektet publike dhe private, sipas këtyre ndryshimeve do të jetë objekt i Inspektoratit të Punës. “Bashkë me sigurinë, kushtet e punës, informalitetin, inspektorët e Inspektoratit të Punës do të kenë për herë të parë detyrën funksionale të kontrollit të sipërmarrjeve për krijimin e kushteve të përshtatshme për punësimin e personave me aftësi të kufizuar.

Advertisement

Është një vendim, i cili shkon drejtpërsëdrejti të hapësirat që kanë njerëzit e përfitimit të aftësisë së kufizuar në tregun e punës, Inspektoratit të Punës do t’i shtohet tani detyra për të gjobitur pa asnjë hezitim të gjitha ato biznese, të cilat nuk pasqyrojnë pranimin në punët e tyre të njerëzve me aftësi të kufizuar”, – tha ministri Klosi.

Sipas tij, janë ndërmarrë tre hapa shumë të rëndësishëm. “I pari, transparenca; së dyti identifikimi i saktë i rasteve të personave me aftësi të kufizuar. Po ndërtojmë një bazë të dhënash për të gjithë aftësinë e kufizuar. Kjo është detyrë shumë e madhe e çdo drejtorie rajonale, që të mbledhin të dhënat për aftësinë e kufizuar. Rastet që unë kam ndjekur personalisht dëshmojnë se, nëse ka shumë vullnet nga vetë drejtorët dhe stafet e tyre mund të çojnë në situatë shumë herë më pozitive dhe të kemi reduktim të problematikave në territor për sa u përket kempeve.
Mendoj që ka shumë nevojë që stafet tona të trajnohen, ka shumë nevojë që të kuptohet nga stafet tona se cilat janë problematikat dhe si mund ta çojnë më përpara dhe t’i realizojmë më mirë, cilat janë ato mekanizma që shtojnë shërbimet karshi qytetarit”, – tha ministri Klosi.